Gruda ngre alarmin për Ligjin e Speciales: Pak ditë kanë mbetur, Qeveria ta sjellë në Kuvend

Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Qeveria e Kosovës sa më shpejt ta procedojë në Kuvend Ligjin për Specialen.
“Jemi këtu për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë Ligjin për Specialen në Kuvend për miratim. Kanë mbetur pak ditë kur edhe mund të shpërndahet, me gjasë, ky Kuvend”, deklaroi Gruda.
Ai ka thënë se Kuvendi nuk duhet të shpërndahet pa e trajtuar këtë ligj, të cilin e ka cilësuar si të rëndësishëm për Kosovën.
“Nuk i falet skenës politike që një Kuvend që është i konstituuar të shpërbëhet pa trajtuar ndoshta ligjin më të rëndësishëm, për ta miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Është një ligj për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë duhet ta bëjmë bashkë”, tha ai.
Gruda ka deklaruar se, sipas tij, ligji lidhet me mbrojtjen e historisë së Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ajo që ne po kërkojmë është që ky ligj të procedohet dhe të trajtohet në Kuvend”, tha Gruda.

Lexo edheTentim-vrasja në Mazgit, personi që raportoi rastin merret në pyetje si i dyshuar
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet historia e Kosovës.
“Asnjë vend evropian nuk pranon që tre gjyqtarë t’ia përlyejnë historinë”, theksoi Gruda.
Sipas tij, drafti i propozuar nga PDK-ja nuk i nënshtrohet Gjykatës Speciale në Hagë. /Lajmi.net/












