Gruda: Ligji për Specialen nuk cenon marrëveshjet ndërkombëtare, kompetenca për krime lufte mund të kthehet në Kosovë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka folur për synimin e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Gruda ka thënë se ligji është hartuar me ekspertizë, ndërsa ka theksuar se janë të hapur që gjatë diskutimeve në Kuvend të dëgjohen edhe opinione të tjera.
“Ligji është hartuar me ekspertizë të lartë. Kjo s’do të thotë që s’jemi të hapur për të dëgjuar opinione të tjera, por këtë do ta bëjmë në Kuvend.
Asnjë zyre s’ka autorizim të mbajë peng një ligj të tillë. Ky s’është ligj i PDK’së. Është ligj për mbrojtjen e UÇK’së dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë në Kuvend”, ka thënë Gruda.
Ai ka deklaruar se ligji, sipas tij, nuk cenon detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe Holandës.
“Ky ligj s’prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë në marrëveshje me BE-në dhe as marrëveshjen me Holandën”, ka thënë Gruda.

Lexo edheKy është i riu që u gjet sot pa shenja jete në Klinë
Duke folur për Gjykatën Speciale, Gruda ka thënë se ajo është themeluar në lidhje me raportin e Dick Martyt, ndërsa ka përmendur edhe pretendimin e tij se vetë gjykata ka konstatuar se nuk ka lidhje me trafik organesh.
“Specialja është themeluar për trafik organesh, vetë gjykata speciale ka konstatuar s’ka lidhje me trafik organesh. Duke qenë se ata akuzohen për krime lufte, ne mendojmë që në shkallë të tretë mund të garantohet gjykimi në Kosovë”, ka thënë ai.
Gruda ka deklaruar se, sipas tij, Kosova i përmbush detyrimet ndërkombëtare që lidhen me raportin e Dick Martyt dhe se kompetenca për krime lufte mund të bartet në Kosovë.
“Ne jemi të bindur që përmbushim detyrimin ndërkombëtar që lidhen me raportin e Dick Martyt dhe mund ta bartim kompetencën për krime lufte në Kosovë”, ka përfunduar Gruda. /Lajmi.net/












