Kusari-Lila: Duhet konsensus për presidentin, më pas punë e përbashkët për Dhomat e Specializuara

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media ka folur për situatën politike në vend, afatet që lidhen me procesin e apelimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, si dhe nevojën për dakordim politik për zgjedhjen e presidentit, raporton indeksonline.
Kusari-Lila tha se afatet që lidhen me procesin e apelimit janë të ngushta dhe se ato duhet të merren parasysh gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike.
“Kur ka vullnet, ka edhe zgjidhje. Mos të harrojmë se afati për të apeluar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Hagës është 30 ditë pas publikimit të verdiktit. 30-ditëshi për dorëzimin e apelit është 16 tetori”, deklaroi ajo.
Ajo theksoi se, në ndërlidhje me këto afate, palët politike duhet të kenë si qëllim të përbashkët shmangien e zgjedhjeve dhe zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor.
“Ne duhet të kemi parasysh që, në nguti dhe në ndërlidhje të këtyre afateve, një gjë ta kemi të përbashkët: që të evitohen zgjedhjet dhe vendi duhet të ketë një president deri më 6 tetor”, tha Kusari-Lila.
Sipas saj, për zgjedhjen e presidentit nevojitet konsensus ndërmjet partive politike për një kandidat, ndërsa më pas mund të vazhdohet me punën e përbashkët për çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe mbështetjen e ekipeve mbrojtëse.

Lexo edheNis tregtia e lirë midis Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s
“Për të pasur një president, partitë duhet të kenë një konsensus për një kandidat konsensual dhe pastaj bashkë, në punën e përbashkët e të kujdesshme për Ligjin për Dhomat e Specializuara, nën mbështetjen për ekipet mbrojtëse për apelin”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila përmendi edhe afatin e dytë, më 15 dhjetor, duke theksuar se bëhet fjalë për afate të shkurtra dhe presion kohor.
“Kemi të bëjmë me afate koncize, kemi të bëjmë me presion. Por emëruesi i përbashkët për interesin e përgjithshëm të Republikës është mosshkuarja në zgjedhje. Këto mund të programohen me hapa të kujdesshëm, me mirëbesim mes palëve. Të gjithë e kemi qëllimin e njëjtë”, deklaroi ajo.
Sa i përket takimeve me subjektet politike, Kusari-Lila tha se vullneti për dialog ekziston dhe se zgjidhja duhet të kërkohet përmes takimeve ndërmjet palëve.












