Ymeri: Fatkeqësia jonë është sistemi, jo vetëm individi

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike, duke e zhvendosur fokusin nga individët te mënyra e funksionimit të sistemit.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Ymeri ka thënë se problemi, sipas saj, nuk qëndron vetëm te individët, por te një sistem që “ushqehet dhe mirëmbahet” nga njerëz që, siç shprehet ajo, mbrojnë korrupsionin, fshehin të vërtetën dhe shmangin llogaridhënien.
Ymeri ka argumentuar se edhe në Kosovë po shfaqet një logjikë e ngjashme funksionimi me atë që, sipas saj, vërehet në Shqipëri, ndonëse me “një shkallë më të ulët rreziku e ndikimi”.
Ajo ka bërë thirrje që shtresa e pavarur intelektuale të mos fokusohet vetëm te emrat konkretë, por të analizojë vetë sistemin.

Lexo edheGruda: Ligji për Specialen nuk cenon marrëveshjet ndërkombëtare, kompetenca për krime lufte mund të kthehet në Kosovë
Duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti, Ymeri ka deklaruar se ai “sot duket në krye, por në fakt është shërbëtor”, duke e lidhur këtë me atë që ajo e cilëson si “mafie energjetike” dhe me ruajtjen e një sistemi korruptiv.
Në fund, deputetja e LDK-së e ka përmbledhur atë që e konsideron si mekanizmin e këtij sistemi me shprehjen: “Tenderi – Drejtësia – Ryshfeti – Pushteti.”
Sipas saj, qytetari mbetet jashtë këtij ekuacioni, ndërsa është ai që, përmes punës dhe taksave, e mban në këmbë këtë strukturë.












