Shqipe Mehmeti-Selimi i bën thirrje Prokurorisë: Veproni, u bë thirrje për ekzekutimin e bashkëshortit tim

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka thënë të dielën se një person në rrjetet sociale ka bërë thirrje direkte për ekzekutimin e bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi, i dënuar nga Gjykata Speciale.
Mehmeti-Selimi, ka thënë se kjo thirrje nuk duhet të kalojë pa u trajtuar.
Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojnë menjëherë.
Postimi i plotë:
Sot, përmes raportimeve në mediat e shkruara, u njoftova për një koment publik në rrjetet sociale, në të cilin bëhet thirrje e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e bashkëshortit tim, Rexhep Selimit.
Si bashkëshorte dhe si qytetare e Republikës së Kosovës, e konsideroj këtë një çështje jashtëzakonisht serioze, e cila nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa u trajtuar nga institucionet përgjegjëse.

Lexo edheProtestuesit para Kuvendit, thonë se do të qëndojnë tërë natën
Mospajtimet, bindjet politike apo qëndrimet personale të askujt nuk mund të shërbejnë si justifikim për thirrje publike për vrasjen e një njeriu. Liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mbulesë për nxitjen e dhunës.
Prandaj, i bëj thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që, në kuadër të kompetencave të saj, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e këtij rasti, identifikimin e personit që qëndron pas komentit dhe vlerësimin e përgjegjësisë eventuale penale.
Nuk kërkoj asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa zbatimin e ligjit dhe trajtimin me seriozitetin e duhur të një thirrjeje publike për marrjen e jetës së një njeriu. Heshtja dhe normalizimi i një gjuhe të tillë janë të papranueshme. Institucionet e drejtësisë kanë përgjegjësinë të sigurojnë që këto raste të trajtohen në përputhje me ligjin, pavarësisht se ndaj kujt drejtohen












