Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se çështja e miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk duhet të lidhet me votën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
I pyetur nëse PDK-ja do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president në rast se ligji kalon në të dy leximet, Hamza ka theksuar se bëhet fjalë për dy procese të ndara.
“Duhet t’i ndajmë këto dy gjëra. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë dy gjëra të ndara. Ligji është një nevojë dhe adreson një çështje që i tejkalon përmasat e një subjekti politik apo të mandatit të një qeverie”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, ndryshimet ligjore lidhen me mbrojtjen e së vërtetës historike dhe me trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ligji nuk ka të bëjë me një parti politike apo me individë, por me mbrojtjen e së vërtetës historike”, është shprehur ai.
Hamza ka theksuar se miratimi i ligjit nuk duhet të shndërrohet në pjesë të ndonjë marrëveshjeje apo pazari politik për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka shtuar se, me afrimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, partitë politike mund të diskutojnë për mënyrën se si vendi të sigurojë funksionimin institucional, por ka insistuar se këto dy çështje duhet të trajtohen veçmas.
“Është çështje tjetër puna e ligjit dhe është çështje tjetër puna e presidentit”, ka përfunduar Hamza.