Më 24 maj të vitit 2017, Gani Rama u deportua për herë të fundit për në Kosovë. Prej atëherë, ai jetoi i vetëm, pa familjen e tij, deri të shtunën e kaluar, kur u rrah për vdekje te nënkalimi kryesor i Prishtinës, për motivet të cilat Policia ende nuk i di. /Insajderi.com
Kush është Gani Rama, personi që u rrah për vdekje te nënkalimi në Prishtinë
Të shtunën e javës së kaluar, Gani Rama nga komunitetit rom që për shumë vite jetonte në Göttingen të Gjermanisë, mbeti i vdekur në qendër të Prishtinës. Ai u rrah brutalisht nga tashmë i arrestuari Nexhat Blakqori që është i dyshuar për vrasjen e tij.
45 vjeçari u gjet i keqtrajtuar, pa shenja jete dhe me plagë të rënda në trup në nënkalimin e rrugës “Bill Clinton” në kryeqytet.
Ganiu ishte arratisur nga Kosova pas bombardimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më 1999 ai mbërriti në Gjermani ku u takua me gruan e tij, e cila jetonte atje që nga viti 1990. Ata kanë 5 vajza, njoftojnë nga Qenra Rome.
Në janar të vitit 2010, sipas kësaj qendre, ai u arrestua për herë të parë nga autoritetet gjermane dhe u deportua për në Kosovë. Në shtetin e saposhpallur, ai bëri jetë të vështirë. Përveç që ishte i pastrehë, ai u rrah dhe u keqtrajtua disa herë. Këtë e kishte deklaruar vetë Ganiu në vitin 2010 dhe 2012, kur Qendra Rome e kishte vizituar atë.
Ganiu i kishte thënë Qendrës Rome atë kohë se një fqinj e kishte kërcënuar atë duke i thënë: “Nëse të shoh përsëri në rrugë, do të të vras”.
Kjo qendër, përmes një deklarate thotë se Ganiu kishte shkuar në Polici, por nuk kishte marrë asnjë ndihmë.
Lexo edheIronizimi i fortë i Kurtit e Konjufcës me prokurorinë për kallëzimin penal ndaj Thaçit dhe Veselit
Edhe një herë tjetër ai shkoi ilegalisht në Gjermani, ku u arrestua përsëri. Por këtë herë nuk mund të dëbohej, pasi u diagnostifikua me sëmundjen e tuberkulozit, e cila ia kërcënonte jetën. Sipas Qendrës Rome, ai qëndroi në spital për disa muaj, ndërsa më 12 prill 2011, gruaja dhe vajzat e tij u deportuan nga Gjermania. Pasi u lirua nga spitali, edhe Ganiu u deportua për në Kosovë.
Familja jetoi në kushte të këqija pas kthimit. Gruaja e Ganiut u përpoq që të gjente punë, por nuk mundi të punësohej as si pastruese.
Shëndeti i Ganiut mbeti i dobët, teksa familja bëri edhe një përpjekje për të jetuar në Gjermani. Ata ia mësyen përsëri shtetit gjerman dhe mbërritën prapë në shtetin ku insistonin të jetonin.














