Irani: Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet pa u plotësuar shtatë kushtet

Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet derisa të plotësohen shtatë kushtet e përcaktuara nga Irani në një marrëveshje të përkohshme me Shtetet e Bashkuara në qershor, ka deklaruar kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, sipas mediave shtetërore iraniane.
Irani kishte paraqitur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një propozim sipas të cilit Ngushtica e Hormuzit mund të rihapej dhe qarkullimi normal detar të rikthehej brenda shtatë ditësh, nëse plotësoheshin kushtet e përcaktuara.
Sipas Qalibafit, i cili është edhe negociatori kryesor i Iranit, Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur propozimit javën e kaluar përmes ndërmjetësve nga Katari.
“Qëndrimi i Republikës Islamike të Iranit është plotësisht i qartë dhe i prerë. Ngushtica e Hormuzit nuk do të hapet derisa të plotësohen shtatë kushtet tona, të bazuara në Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit”, citohet të ketë thënë Qalibaf.
Ai shtoi se Uashingtoni duhet ta kuptojë se ka përfunduar periudha e zvarritjes së procesit diplomatik dhe e imponimit të kërkesave të njëanshme.
Irani: Nuk ka diskutime për programin bërthamor
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se Teherani ia ka përcjellë SHBA-së, përmes ndërmjetësve, qëndrimet e tij të përgjithshme lidhur me përgjigjen amerikane, por se mbeten edhe disa çështje të tjera për t’u komunikuar.

Lexo edheVendosen tenda në shesh pas paralajmërimit të protestuesve se do të qëndrojnë gjithë natën te Kuvendi
Sipas tij, propozimet e SHBA-së janë kryesisht në përputhje me qëndrimet e mëparshme të Uashingtonit, veçanërisht sa i përket çështjes bërthamore.
Baghaei tha se Irani u ka bërë të qartë amerikanëve se në këtë fazë fokusi i Teheranit është Ngushtica e Hormuzit dhe se rikthimi i sigurisë në këtë rrugë ujore kërkon hapa të qartë nga SHBA-ja.
Ai mohoi gjithashtu se Irani i ka ofruar Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) lejimin e inspektimeve në objektet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve amerikane, raporton Reuters.
Sipas një dokumenti që po qarkullon dhe një zyrtari të informuar për bisedimet, plani parashikon një periudhë shtatëditore për ndërtimin e besimit, me synim rikthimin e dy palëve te një version i përforcuar i memorandumit të mirëkuptimit të arritur në qershor.
Plani përfshin edhe hapa konkretë lidhur me programin bërthamor të Iranit. Sipas zyrtarit, mosmarrëveshja mes palëve lidhet kryesisht me renditjen dhe kohën e zbatimit të këtyre hapave, dhe jo me përbërësit e vetë planit.












