Gjatë fazës përmbyllëse të gërmimeve arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës, janë identifikuar mbetjet skeletore të një mashkulli të ri, të pozicionuar brenda një muri të periudhës së antikitetit të vonë, së bashku me skeletin e një kali të zbuluar në afërsi.
Struktura në fjalë i përket një faze më të hershme fortifikimi, ndoshta e shek VI e.s , e cila më pas është dëmtuar dhe ripërdorur si bazament për ndërtimet mesjetare.
Pamela Llapaj, drejtuesja e gërmimeve, tha se kanë gjetur një mur të antikitetit të vonë, që ka qenë një nga fortifikimet më të hershme, i cili është prishur dhe përdorur si themel për muret e mesjetës më pas.
“Përveç gjetjeve të qeramikës, kemi pasur edhe një skelet njeriu të vendosur brenda në mur dhe një skelet kali”, tha Llapaj, raporton TopChannel.
Siç raporton ky medium, skeleti i njeriut është zbuluar i shtrirë diagonalisht, me bustin brenda murit dhe këmbët që dilnin jashtë tij. Pak më larg, por në të njëjtin nivel dhe kontekst ndërtimor, është zbuluar skeleti i një kali.
Pozicioni i skeletit ngre hipoteza për një formë të pazakontë varrimi, ndoshta me funksion ritual apo simbolik, tipik për figura ushtarake të kohës.
“Për momentin gërmimet mbyllen, por janë shumë interesante sepse po gjejmë themele më të hershme, faza jetese dhe fortifikimi për të cilat nuk dihet asgjë, dhe ndoshta studimet e mëvonshme do të sjellin më shumë informacion për këto periudha të panjohura të historisë sonë”, citohet të ketë thënë drejtuesja e gërmimeve, Pamela Llapaj.
Ky zbulim pason punën e mëparshme të arkeologut Damian Komata, i cili kishte identifikuar një pjesë muri brenda galerisë së kalasë.
Lapaj tha se Komata “kishte gjetur pikërisht një mur brenda galerisë dhe ne vijuam gërmimet, duke gjetur pjesën tjetër të murit”.
Edhe pse konkluzionet përfundimtare do të varen nga analizat e mëtejshme antropologjike dhe stratigrafike, vetë fakti që një individ, ndoshta luftëtar, dhe kali i tij janë gjetur në këtë pozicion, e pasuron mozaikun historik të zonës dhe nxit pyetje të reja mbi zakonet dhe praktikën funerale të kohës.
Gjetjet e këtij sezoni pritet të kontribuojnë në ndriçimin e një periudhe disi të errët e ende pak të njohur të historisë.