Rina Dragidella, mbesa e Xhelal Sveçlës emërohet kundërligjshëm diplomate në Washington

Rina Dragidella, mbesa e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është emëruar në pozitën e Sekretares së Dytë në Ambasadën e Kosovës në Washington. Ajo ishte punësuar në MPJD në nëntor të vitit 2025.
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka nënshkruar më 15 maj 2026 vendimin për emërimin e Rina Dragidellës në pozitën e Sekretares së Dytë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington.
Nacionale ka siguruar dokumentin e nënshkruar nga Konjufca, sipas të cilit Dragidella është emëruar me mandat katërvjeçar, ndërsa detyrën e re do ta nisë më 1 dhjetor 2026.

Emërimi i saj merr vëmendje të veçantë për shkak të lidhjes familjare me ministrin Xhelal Sveçla. Rina Dragidella është mbesa e tij, ndërsa Nacionale ka mësuar se ajo ishte punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në nëntor të vitit 2025.
Kështu, vetëm disa muaj pas punësimit në MPJD, Dragidella është emëruar në një pozitë diplomatike në njërin prej misioneve më të rëndësishme të Kosovës jashtë vendit.
Ky emërim ngre pikëpyetje për kriteret e përzgjedhjes dhe mënyrën e avancimit në shërbimin diplomatik. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje se si është zhvilluar procedura, nëse janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale dhe mbi çfarë baze është bërë përzgjedhja e saj.
Edhe nëna e Dragidellës ishte punësuar në një institucion publik

Lexo edhePosta e Kosovës nderon festivalin “Akordet e Kosovës” me pullë të veçantë postare
Ky nuk është rasti i parë kur një familjare e ministrit Xhelal Sveçla është bërë pjesë e institucioneve publike.
Nacionale kishte raportuar më herët se Magbule Hyseni, nëna e Rinës dhe motra e ministrit Sveçla, ishte punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në atë kohë, ministria kishte mohuar se Hyseni ishte rekrutuar nga stafi i saj. Megjithatë, Nacionale kishte publikuar dokumentin që dëshmonte se ajo ishte bërë pjesë e shërbimit civil në këtë institucion.
Sipas dokumentit, Magbule Hyseni ishte emëruar në pozitën e “Zyrtares së Lartë të Pagesave Direkte” në Drejtorinë e Pagesave Direkte të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Tashmë, edhe emërimi i vajzës së saj në një pozitë diplomatike në Washington rikthen në vëmendje çështjen e punësimit dhe avancimit të familjarëve të zyrtarëve të lartë në institucionet publike, si dhe transparencën e procedurave që çojnë në këto emërime.












