Vulin për ushtarët serbë në Karaçevë: Nuk ka pasur kurrfarë kalimi ilegal

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vuli, u tha sot gazetarëve në Krushevac, në lidhje me pohimet se Ushtria e Serbisë ka shkelur kufirin, siç e quan ky – vijën administrative me Kosovën, në fakt bëhet fjalë për një patrullë të njëkohshme të Ushtrisë së serbisë dhe të KFOR-it dhe se ka pasur drejtimin paraprakisht të përcaktuar dhe se nuk ka pasur kurrfarë kalimi ilegal, raportojnë mediat serbe, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se ishte aktivitet i rregullt.
“E vetmja e vërtetë është se patrulla e njëkohshme e Ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it dhe Komandës rajonale Lindje, do të thotë kontingjentit turk, bashkë me dy nga kontingjenti i SHBA, nga ora 16.50 deri në orën 18.10 ka pasur një patrullim të njëkohshëm nga drejtimi i fshatit Muhoc deri në fshatin Karaçevë e Ulët, sipas vijës administrative paraprakisht të përcaktuar”, është shprehur Vulin.
Ai ka thënë: “Dihet me saktësi ku lëvizin ata dhe paraprakisht duhet se nga do të lëvizet”.

Lexo edheHoti premton mbështetje për Telekomin
Vulin ka thënë se tash disa ditë janë të pranishme përpjekjet e Prishtinës që “edhe njëherë të sulmojnë Ushtrinë e Serbisë dhe të thonë se nuk po respektohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe se Beogradi po shkel vijën administrative” (kështu ai e quan kufirin midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë – sqarim ynë).
Ai ka shtuar se qëllimi është që me patrulla të njëkohshme të përfshihen e pjesëtarët e forcave policore të Kosovës.
“Ushtria e Serbisë e ka refuzuar disa herë këtë, ne kemi marrëveshje të nënshkruar me KFOR-in, me askënd tjetër”, ka thënë Vulin dhe ka shtuar se Beogradi nuk njeh askënd tjetër pos KFOR-it, si dikë që është i ngarkuar për sigurinë në tërë territorin e Kosovës, transmeton Koha.net.














