Kurti për vrasjen e Arlinda Zekajt: Secili zyrtar që nuk e kreu detyrën duhet të mbajë përgjegjësi penale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke vënë në pah dështimet e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se rasti i Arlindës dëshmon se ndjekja e procedurave ligjore dhe kërkimi i mbrojtjes nga institucionet nuk kanë garantuar sigurinë e saj, transmeton lajmi.net.
“Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë se një grua mund t’i ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta dhe prapë të përfundojë e vrarë”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se viktima kishte ndërmarrë veprimet që institucionet ua rekomandojnë grave që përballen me dhunë.
“Arlinda bëri atë që institucionet u kërkojnë grave ta bëjnë kur përballen me dhunë”, u shpreh kryeministri.
Kurti rikujtoi se një ditë më parë janë bërë publike detaje rreth rrjedhës së rastit dhe lëshimeve të evidentuara në zinxhirin institucional, duke paralajmëruar se përgjegjësia nuk do të kufizohet vetëm në masa disiplinore.

Lexo edheKurti paralajmëron përgjegjësi disiplinore e penale për zyrtarët që neglizhuan rastin e Arlindës
Ai kërkoi që secila hallkë institucionale e përfshirë në trajtimin e rastit të hetohet dhe që zyrtarët që kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre të përballen me drejtësinë.
“Ritheksoj që do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të japë përgjegjësi, jo vetëm disiplinore, por edhe penale. Secili përgjegjës i secilës hallkë duhet të hetohet”, tha Kurti.
Në fund, ai theksoi se neglizhenca në trajtimin e rasteve të tilla nuk duhet të mbetet pa pasoja.
“Kushdo që ka neglizhuar punën duhet të japë përgjegjësi dhe do të përballet me masa disiplinore dhe penale”, përfundoi Kurti./lajmi.net/












