Asgjësohen 5.56 tonë misër me përmbajtje të Aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin dhe ka mbikëqyrur asgjësimin e 5,560 kilogramëve misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar përmbajtje të Aflatoksinës B1 mbi kufijtë maksimalë të lejuar.
“Masat janë ndërmarrë ndaj tri subjekteve ekonomike: Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë, ku janë asgjësuar 3,270 kg misër; Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës, ku janë asgjësuar 1,040 kg; dhe NTP “Te Hysi” në Shtime, ku janë asgjësuar 1,250 kg. Asgjësimi është realizuar më 29 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, njofton AUV.
Aflatoksina B1 (AFB1) është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit. Përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, ajo mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
AUV u bën thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër për të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të Aflatoksinës B1.

Lexo edheArrestohen në Morinë dy të rinj nga Vushtrria, ishin dënuar me nga 15 vjet burg në Gjermani për vjedhje me dhunë dhe dëmtim prone
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe AUV do të vazhdojnë kontrollet zyrtare, analizat laboratorike dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin e qarkullimit të produkteve që paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.
“Siguria e ushqimit për kafshë është pjesë thelbësore e mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe sigurisë së të gjithë zinxhirit ushqimor”, njofton AUV.













