Kurti paralajmëron përgjegjësi disiplinore e penale për zyrtarët që neglizhuan rastin e Arlindës

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kritikuar dështimet institucionale në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
Kurti tha se rasti i Arlindës e ka nxjerrë edhe një herë në pah një të vërtetë të rëndë, se edhe kur një grua i ndjek të gjitha rrugët ligjore për të denoncuar dhunën dhe për të kërkuar mbrojtje, sërish mund të përfundojë e vrarë.
“Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë se një grua mund t’i ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta dhe prapë të përfundojë e vrarë”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se Arlinda kishte vepruar pikërisht ashtu siç institucionet u kërkojnë grave të veprojnë kur përballen me dhunë.
“Arlinda bëri atë që institucionet u kërkojnë grave ta bëjnë kur përballen me dhunë”, u shpreh Kurti.
Kreu i Qeverisë tha se një ditë më parë kishin ndarë me publikun rrjedhën e rastit dhe lëshimet e evidentuara në zinxhirin institucional, duke përmendur edhe institucionet përkatëse që, sipas tij, nuk kanë bashkëpunuar.

Lexo edheMbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, a mund të ketë ndryshim të kryetarit? – Kjo është përgjigja e Albulena Haxhiut
Kurti paralajmëroi se do të angazhohen deri në fund që secili zyrtar përgjegjës, i cili nuk e ka kryer detyrën e tij, të mbajë përgjegjësi.
“Ritheksoj që do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të japë përgjegjësi, jo vetëm disiplinore, por edhe penale. Secili përgjegjës i secilës hallkë duhet të hetohet”, tha Kurti.
Ai shtoi se kushdo që ka neglizhuar punën duhet të përballet me përgjegjësi dhe masa përkatëse.
“Kushdo që ka neglizhuar punën duhet të japë përgjegjësi dhe do të përballet me masa disiplinore dhe penale”, përfundoi Kurti.












