Gazetari i njohur shqiptar, Marin Mema, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, në kohën kur në Shqipëri po vazhdojnë protestat e studentëve kundër qeverisë së Edi Ramës.
Mema ka mohuar zërat për një përfshirje të mundshme të tij në politikë, duke theksuar se nuk ka pasur dhe nuk ka synime për të marrë ndonjë pozitë politike, transmeton lajmi.net.
Reagimi i tij vjen në një periudhë kur protesta studentore në Tiranë ka marrë vëmendje të madhe publike, ndërsa diskutimet për përkrahjen dhe përfaqësimin e lëvizjes kanë nxitur edhe spekulime për emra të mundshëm në politikë.
Gazetari ka thënë se prej vitesh e ka bërë të qartë qëndrimin e tij, duke kritikuar publikimet që, sipas tij, përdorin emrin e tij për të siguruar klikime.
“Unë e kam bërë të qartë prej vitesh, se nuk kam synime të përfshihem në politikë. Nuk kam! Postime të tilla me lista e të tjera me radhë bëhen për fat të keq për klikime”, ka shkruar Mema.
Ai ka theksuar se dëshira për ndryshimin e gjendjes në Shqipëri nuk nënkupton ambicie personale apo synim për t’u bërë pjesë e strukturave partiake.
“Nuk dua as karrige, as pozita, as ngjyrosje me ngjyra partiake! Unë kam vetëm ngjyrat kombëtare dhe nuk dua të ndaj, por të bashkoj!”, ka deklaruar ai.
Në fund të reagimit, Mema ka ritheksuar se angazhimin e tij e sheh të lidhur me çështjen kombëtare dhe jo me karrierën politike.
“Misioni im është Bashkimi Kombëtar dhe ky do të jetë sa të kem frymë”, ka përfunduar gazetari, duke kërkuar nga faqet që publikojnë lajme për të që të jenë korrekte.
Ndërkohë, protestat studentore në Shqipëri po vazhdojnë, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama./lajmi.net/