Kurti mohon që VV është e përfshirë në organizimin e protestave në Shqipëri: Kosova nuk është rivale e motrës së saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë pretendimet se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e përfshirë në organizimin apo nxitjen e protestave që po zhvillohen në Shqipëri.
Gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti ka reaguar ndaj zërave që ia atribuojnë partisë së tij një rol në zhvillimet protestuese në shtetin shqiptar, duke theksuar se subjekti që ai drejton tashmë është në pushtet dhe nuk vepron në mënyrë të fshehtë për të ndikuar në protesta, transmeton lajmi.net.
Ai ka kujtuar se edhe kur Vetëvendosje ishte në opozitë dhe organizonte protesta, përfaqësuesit e saj dilnin hapur në ballë të tyre, pa u fshehur pas identiteteve anonime apo grupeve të tjera.
“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë”, ka deklaruar Kurti.
Më tej, kryeministri ka thënë se partia e tij nuk e ka përdorur asnjëherë taktikën e organizimit të veprimeve në mënyrë anonime dhe ka kundërshtuar, sipas tij, çdo përpjekje për instrumentalizim politik, qoftë nga të tjerët apo nga vetë Vetëvendosje.
“Nesër do të jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonim”, u shpreh ai.

Lexo edheKurti për vrasjen e Arlinda Zekajt: Secili zyrtar që nuk e kreu detyrën duhet të mbajë përgjegjësi penale
Kurti ka shfrytëzuar këtë paraqitje edhe për të theksuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke mohuar se Prishtina zyrtare ka interesa konkurruese me Tiranën.
Sipas tij, dy shtetet duhet t’i shohin arritjet e njëri-tjetrit si sukses të përbashkët, ndërsa ka përmendur në veçanti procesin e integrimit evropian dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
“Ne jemi në krye të qeverisjes së Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian apo për arritjet e ekonomisë dhe të turizmit në Shqipëri”, ka përfunduar Kurti./lajmi.net/












