Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje dhe, me urdhër të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinë, Enis Pllana e cila ka bërë të ditur se bashkëshortja e të dyshuarit kishte raportuar se për një periudhë të vazhdueshme kishte përjetuar dhunë psikike nga ai.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, viktima dhe i dyshuari nuk bashkëjetojnë prej disa muajsh.
“Është raportuar se viktima femër kosovare, në vazhdimësi ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin nuk bashkëjeton që disa muaj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se rasti është trajtuar nga njësitet përkatëse policore.
Ndalimin prej 48 orësh për Berishën e ka konfirmuar për lajmi.net edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, e cila ka bërë të ditur se masa është ndërmarrë me urdhër të prokurorit kujdestar dhe se Prokuroria po vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ndryshe, lidhur me këtë rast, “Betimi për Drejtësi”, duke u thirrur në burime, ka raportuar se Berisha dyshohet se e kishte kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se mund t’i ndodhte e njëjta sikurse Arlinda Zekajt.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, në një rast që ka nxitur reagime të shumta për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje.
Hetimet për rastin ndaj Berishës janë në zhvillim./lajmi.net/