Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se mbrëmë në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ka ndodhur një vrasje e rëndë.
Sipas prokurorisë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën Agron Hajdari, i njohur me nofkën “Radulla”.
Menjëherë pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, si dhe njësitet e tjera relevante, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Në kuadër të këtyre veprimeve është mundësuar sigurimi dhe analizimi i videoincizimeve nga kamerat e sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Po ashtu, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia K9, me qëllim të gjurmimit të lëvizjeve të personit të dyshuar dhe viktimës.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve intensive hetimore dhe operative me qëllim të arrestimit të personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale./IndeksOnline/