Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, doli sot përballë mediave, bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për të thënë se gjendja e sigurisë po sfidohet në vend.
Kurti u shpreh se policia po bën punë të jashtëzakonshme, marrë parasysh sulmet e disahershme të orkestruara nga Serbia.
“Këto na treguan se grupet e armatosura, të pajisura rëndë, kanë rrezikuar dhe mund të rrezikojnë seriozisht sovranitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, themelimi i xhandarmerisë, me struktura moderne, është domosdoshmëri që do të plotësojë boshllëkun ndërmjet policisë dhe ushtrisë. Ajo do të ketë mision të qartë me shtrirje ajrore, tokësore e ujore, që do të luftojë bandat, krimin dhe rreziqet e mundshme” deklaroi Kurti.
Ai tha se modeli i xhandarmërisë është praktikë evropiane që ka rezultuar të jetë efikas, teksa ai i Kosovës do të ndërtohet mbi kushtetueshmërinë e vendit.
Nga ana tjetër, Sveçla deklaroi se me kompetencat e tij ka themeluar grupin punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për krijimin e xhandarmërisë.
“Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do t’i mundësojë policisë të kryejë detyrat e saj” tha Sveçla, duke përmendur detyrat e grupit punues, përfshirë procesin e rekrutimit, buxhetin dhe ndjekjen e modeleve ndërkombëtare të xhandarmërive.
Sveçla bëri me dije se pjesë e grupit punues do të jenë institucionet e vendit, bashkë me AME-në.