Sot, për të 51-n herë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Procesi vazhdon të zvarritet për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për krijimin e shumicës parlamentare dhe ndarjen e pozitave udhëheqëse.
Ndërkohë, kandidatja për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është deklaruar para seancës, duke bërë të ditur se i kanë dërguar një ofertë subjektit politik Nisma, shkruan IndeksOnline.
“Ja kemi dërguar ofertën Nismës”, ka thënë ajo, duke lënë të kuptohet se janë bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte funksionalizimin e Kuvendit.
Seanca e radhës, e cila vazhdoi edhe të hënën, nuk solli ndonjë përparim konkret, ndërsa mbetet të shihet nëse kjo përpjekje e sotme do të sjellë ndonjë zhvillim të ri në bllokadën politike që ka paralizuar institucionet qysh pas zgjedhjeve./IndeksOnline/