Koment nga Ervin Shkulaku
Nuk u deshën shumë vite që dashuria e qytetarëve të Kosovës për Sali Berishën të zëvendësohej me dashurinë për Edi Ramën.
E gjitha filloi disa vite më parë kur Edi Rama deklaroi në Beograd para syve të Aleksandër Vuçiçit se Kosova është e pavarur.
Mjaftoi kjo deklaratë që shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës t’i kthente sytë nga Rama duke menduar se ky është lider e jo llafe. Por deklarata të tilla që nuk pinë ujë bënte edhe Enver Hoxha prandaj nuk kanë çuar peshë.
E pas kësaj Edi Rama gjithmonë është sjellë si një kavalier me shqiptarët e Kosovës duke u bërë deklarata magjepse e duke treguar dashuri për ta.
Por, kjo dashuri po kthehet në lek, madje në shumë lek. Sipas mediave më 25 mars do të vihet postobllok në hyrje të tunelit dhe kush paguan 5 euro do të lejohet të hyjë në tunel. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nëse do të fillojë nesër apo vitin e ardhshëm por dicka është e sigurt, herët e vonë do të paguajmë.
Eshtë ironike se një ditë para, pra në 24 mars Kosova shënon sulmet e shpresës së NATOS-së që filluan ta sulmojnë Serbinë për lirinë e Kosovës, ndërsa në 25 mars i vihet postoblloku në Shqipëri.
Sikur të ishte 50 cent ishte e pranueshmë por do të jetë 5 euro ndërsa bashkë me kthimin do të kushtojë 10 euro. Kjo pagesë është tmerrësisht e lartë për qytetarët e Kosovës dhe gjithashtu do të ndikojë edhe në rritjen e biletave të autobusit.
Prandaj qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të ndërhyjë te qeveria e Ramës e t’i kërkojë uljen e cmimit të biletës.
Dikush mund të thotë se meqënse u vu postoblloku shkojmë në Ulqin të pushojmë por si për ironi të fatit shumica dërrmuese edhe për të shkuar në Ulqin përdorin këtë rrugë.
Rama ta tregojë me vepra dashurinë për Kosovën dhe jo me fjalë. Ekonomia e Kosovës fatkeqësisht është e dobët dhe Rama të mos ndikojë duke e dobësuar edhe më tej atë./albeu.com/



