Hillary Clinton akuzoi Donald Trump si një “kërcënim” për demokracinë, ndërsa ky i fundit pritet të shpalosë sot masat e para që synon të ndërmarrë në rast fitore, 18 ditë nga zgjedhjet presidenciale amerikane.
Clinton vuri në dukje deklaratat e fundit të kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë.
“Ai refuzoi të pohonte se do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve. Duke bërë këtë zgjedhje, ai po kërcënon demokracinë tonë”, u shpreh ajo.
Clinton, ndërsa sondazhet e paraqesin me një epërsi të dukshme në rang kombëtar, është duke bërë fushatë elektorale në Ohajo, shtet industrial mjaft heterogjen për nga elektorati, ku kandidatja demokrate është shumë pranë me Donald Trump, i cili ishte i pranishëm në këtë shtet të enjten e kaluar. Asnjë figurë republikane nuk ka fituar Shtëpinë e Bardhë pa Ohajon në periudhën e fundit.
“Sëbashku duhet të mbështesim demokracinë amerikane”, theksoi kandidatja demokrate pretendente për të pasuar Barack Obaman.
“Po ndodh vërtetë diçka fantastike në këto momente, njerëz nga shtresa të ndryshme janë mbledhur për të hedhur pas krahëve urrejtjen dhe ndasitë”, vijoi ajo, duke dëshmuar vullnetin e saj për të qenë përfaqësuesja e të gjithë amerikanëve.
Nga ana e tij, Donald Trump gjatë dy takimeve të tij të fundit, një në Karolinën e Veriut dhe tjera në Pensilvani (veri-lindje), përshkruan një Amerikë në zbehje dhe premtoi se “nëse do të fitonte do ta falenderonim pasi do të hidhte hapa përpara për ta kthyer kombin sërish të begatë”.
Sot drejtuesit e fushatës së Trump pohuan se do të shpalosnin planin e tij për 100 ditët e para të presidencës së tij.
Ai synon të shpalosë programin e tij në Getisburg, në Pensilvani, qendra e një prej betejave më të tmerrshme të Luftës Civile dhe më pas vendi i një fjalimi të zjarrtë të Abraham Lincoln, ndoshta më i famshmi i fjalimeve politike të historisë amerikane.
“Trump do të flasë me amerikanët për vizionin e tij politik për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe t’a kthejë qeverinë në favor të popullit dhe në prezantimin e masave që do të ndërmarrë në 100 ditët e para”, thekson drejtori i politikës kombëtare të fushatës Trump, Stephen Miller. /trt/