“Kosova e grave” – Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës drejtohen nga dy gra

Me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës Presidente të Republikës së Kosovës, dy prej institucioneve kryesore të shtetit – Presidenca dhe Kuvendi – tashmë drejtohen nga gra.
Kuvendi i Kosovës e zgjodhi më 6 tetor 2026 Shiroka-Pulën Presidente të Republikës me 81 vota, pas një procesi të zhvilluar në seancë të jashtëzakonshme. Ajo më pas dha betimin kushtetues dhe në fjalimin e saj u zotua se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve.
Në anën tjetër, Albulena Haxhiu është Kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo u zgjodh në këtë pozitë më 11 shkurt 2026 dhe, për një periudhë, ka ushtruar edhe detyrën e Presidentes së Republikës.
Kështu, me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, për herë të parë në këtë përbërje institucionale, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës janë në duart e dy grave, në dy prej pozitave më të rëndësishme të institucioneve shtetërore.
Jo hera e parë që Kosova ka presidente gra
Zgjedhja e Shiroka-Pulës vjen në një histori ku gratë tashmë kanë pasur rol të rëndësishëm në udhëheqjen e Presidencës.

Lexo edheDy zyrtarë kosovarë të burgjeve akuzohen për incident me të burgosur në Danimarkë
Para saj, Kosovën e kanë drejtuar si presidente dy gra: Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani. Jahjaga ishte presidente e Kosovës në periudhën 2011–2016, ndërsa Osmani e ushtroi detyrën e presidentes nga viti 2021 deri në përfundimin e mandatit të saj në vitin 2026.
Me Shiroka-Pulën, Kosova tash ka presidenten e tretë grua në historinë e saj.
Zhvillimi shënon gjithashtu një tjetër moment të rëndësishëm për përfaqësimin e grave në institucionet më të larta të vendit, pasi njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit dhe Presidentja e Republikës janë gra. /Lajmi.net/












