Nga kabineti i Thaçit te propozimi i Kurtit: rrugëtimi politik i Justina Shiroka Pulës

Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës më 7 tetor, pas një marrëveshjeje në çastet e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
E njëjta u zgjodhë qysh në raundin e parë të votimit, me 81 vota për, minimumi i kërkuar në këtë rund.
Shiroka Pula, 72 vjeçare është betuar si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e 11-të me radhë, ku edhet ha se pranon me përgjegjësi detyrën e re.
Shiroka Pula deklaroi se ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit.
Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, transmeton lajmi.net.
Kundërkandidatja e saj, Eliza Hoxha, e mori një votë, ndërsa dy vota ishin të pavlefshme.
Shiroka Pula u propozua në çastet e fundit të afatit për presidentin e ri nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kandidatura e saj u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
PDK e propozoi si kundërkandidate të saj deputeten e vet, Eliza Hoxhën.
Pas një dite ngecjesh dhe moskomunikimi direkt, Kurti dhe Hamza u pajtuan për emrin e Shiroka Pulës në fund, dhe ajo u zgjodh zyrtarisht presidenti 13 minuta pas përfundimit të afatit kushtetues, mbase duke krijuar pengesa të mundshme ligjore.
Por ku është Justina Shiroka Pula?

Lexo edheArrestohet personi që sulmoi gazetarin Jeton Sopa
Justina Shiroka Pula, ekonomiste, akademike dhe ish-ministre, është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota në Kuvend. Ajo bëhet gruaja e tretë që merr drejtimin e shtetit, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit. Zgjedhja e saj erdhi pas një marrëveshjeje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme.
E lindur në Prishtinë më 1953, Shiroka Pula ka një karrierë që ndërthur arsimin universitar, kërkimin shkencor dhe angazhimin në institucione. Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në vendlindje, ndërsa më 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Zagreb më 1984, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik.
Pjesën më të madhe të jetës profesionale ia ka kushtuar universitetit. Në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës ka punuar për dekada si profesoreshë, me angazhim në fushën e menaxhmentit. Studimet e doktoraturës i përfundoi po në këtë fakultet, ndërsa veprimtaria e saj shkencore përfshin punime, libra dhe kumtesa mbi ekonominë dhe menaxhmentin.
Përvoja e saj përfshin edhe përgjegjësi drejtuese brenda Universitetit të Prishtinës. Ka qenë shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit dhe anëtare e Bordit Drejtues të universitetit.
Në politikë, Shiroka Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave gjatë viteve 2008–2011. Më pas, nga viti 2011 deri më 2014, ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Para zgjedhjes në Presidencë, ajo drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. E zgjedhur kryetare në dhjetor 2025, Shiroka Pula u bë gruaja e parë në krye të këtij institucioni. Anëtare e Akademisë që nga viti 2016, ajo kishte mbajtur më herët edhe detyrat e sekretares së Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe të nënkryetares.
Në fjalimin pas zgjedhjes, presidentja e re e vuri theksin te përfaqësimi i të gjithë qytetarëve, duke deklaruar se mandati i saj u përket qytetarëve, institucioneve dhe shtetit të Kosovës./Lajmi.net/












