Dy zyrtarë kosovarë të burgjeve akuzohen për incident me të burgosur në Danimarkë

Një rast i rëndë raportohet se ka goditur sistemin e burgjeve në Danimarkë.
Sipas raportimit të medias daneze “DR Nyheder”, dy zyrtarë kosovarë të burgjeve akuzohen si të dyshuar për sulm ndaj një të burgosuri derisa ishin në detyrë në Burgun e Vesterit.
Pavarësisht akuzave, dy të përfshirët në rast i kanë mohuar akuzat.
Ata akuzohen se më 5 tetor, në cilësinë e zyrtarëve të burgut në detyrë, në bashkëpunim dhe pas një marrëveshjeje paraprake ose mirëkuptimi të përbashkët, i kanë shkaktuar të burgosurit disa goditje me grusht në fytyrë dhe në trup.
Sipas shërbimit danez të burgjeve, zyrtarët kosovarë ndodheshin në Danimarkë për trajnim, në kuadër të përgatitjeve për të kryer detyrën e kujdestarisë ndaj të burgosurve danezë në burgun e Gjilanit, të cilin Danimarka e ka marrë me qira në Kosovë.
Zyrtarët kosovarë të burgjeve po ndjekin një trajnim shtesë gjashtëmujor në Danimarkë, me qëllim që të njihen me kushtet dhe rregullat daneze për trajtimin e të burgosurve.

Lexo edheMaliqi: Përgëzime Kurtit e Hamzës që treguan përgjegjësi- Kriza të jetë mësim se kompromisi s’është dobësi
Plani është që shtetasit e dënuar me dëbim nga Danimarka, të cilët vijnë nga vende jashtë BE-së dhe Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE), ta vuajnë dënimin në Kosovë, pasi burgu të vihet në funksion.
Burgu ka qenë në qendër të debateve të shumta politike dhe është vonuar disa herë.“DR Nyheder” ka tentuar të marrë një koment nga ministri i Drejtësisë, Nicolai Wammen.
Shërbimi Danez i Burgjeve nuk ka pranuar të japë intervistë, por në një deklaratë me shkrim ka thënë: “Shërbimi Danez i Burgjeve, si parim të qartë, nuk komenton raste konkrete. Mund të konfirmojmë se më 5 tetor 2026 ka ndodhur një incident në Burgun e Vesterit dhe se çështja i është dorëzuar policisë”.












