Bajrami kërkon të bëhet publike sa para ka humbur Kosova nga Plani i Rritjes

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë publike shumën e mjeteve që Kosova mund t’i humbasë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi gjashtë nga 13 reformat nuk janë përmbushur brenda afatit të 30 qershorit.
Bajrami tha se ka deklarata të ndryshme nga zyrtarët qeveritarë lidhur me humbjet potenciale, duke kërkuar transparencë për shumën e saktë dhe publikimin e raportit të Komisionit Evropian për vlerësimin e përmbushjes së reformave.
“Kam ngritur çështjen e humbjes potenciale të mjeteve nga Plani i Rritjes. Besoj që Qeveria, edhe pse s’po e bën publike, e ka raportin e Komisionit Evropian, për vlerësimin e përmbushjes së reformave, në kuadër të agjendës për reforma ekonomike. Kemi dëgju deklarata të ndryshme, nga zoti Zulfaj, edhe nga kryeministri Kurti, për humbjen potenciale, njëri thotë për rreth 60 milionë euro, tjetri thotë për 40 milionë euro. Kërkoj nga kabineti, t’iu tregojnë qytetarëve, se sa ka humbur Kosova, meqenëse gjashtë nga 13 reformat, nuk janë përmbushur, në afatin e 30 qershorit”, tha Bajrami.

Lexo edheKosova pritet të pranojë 300 të burgosur danezë në Gjilan nga viti 2027
Bajrami rikujtoi gjithashtu se gjatë mandatit të kaluar, sipas saj, Kosova ishte nën masa të Bashkimit Evropian, duke theksuar pasojat financiare të mungesës së koordinimit me institucionet evropiane.
“Mos të harrojmë që mandatin e kaluar, kemi qenë nën masa ndëshkuese nga Bashkësia Evropiane dhe janë qindra milion euro projekte të humbura dhe të shtyra, për shkak të mos koordinimit të duhur me akterë të BE-së”, tha ajo.












