Rrustemi: Sulmet e Serbisë pas vendimit në Hagë duhet ta marrin përgjigjen e duhur nga Republika e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se nisja e punës së grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë dëshmon se Kosova duhet të angazhohet për proceset që, sipas tij, rrezikojnë ta tjetërsojnë historinë e çlirimit të vendit.
Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Rrustemi ka thënë se do të marrin pjesë në këtë angazhim me bindjen se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe se përgjegjësia penale duhet të përcaktohet mbi bazën e provave individuale.
“Ne do të jemi pjesë e këtij angazhimi me bindjen që e kemi mbrojtur vazhdimisht, UÇK-ja nuk ka nevojë për rehabilitim historik. Lufta e saj ishte luftë për liri. Drejtësia ka për detyrë t’i gjykojë individët sipas provave, pa e shndërruar historinë e çlirimit në objekt të një fajësie kolektive”, ka deklaruar Rrustemi.
Ai ka përmendur edhe përgjegjësinë e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës, duke kërkuar që, sipas tij, veprimet e saj pas vendimit të Gjykatës Speciale të marrin përgjigjen e duhur nga institucionet e Kosovës.
“Kemi para vetes betejë komplekse, na nevojitet bashkërendim, bashkëpunim, bashkëveprim – sot më shumë se kurrë”, ka thënë ai.

Lexo edheIPK nis hetimet për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt nga Policia e Kosovës
Grupi punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara ka mbajtur mbledhjen konstituive të martën.
Qeveria e Kosovës e kishte formuar këtë grup më 14 tetor, me qëllim të hartimit dhe bashkërendimit të strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së.
Më 16 shtator, në shkallën e parë, Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.












