Ende nuk po dihet se kush ia vuri flakën arës së vëllezërve Geci nga Llausha e Skenderajt. Prokuroria Themelore të Mitrovicës i ka thënë Gazetës Express se ende nuk ka asnjë të dyshuar për djegien e të mbjellave me grurë në Kopiliq, fshat që gjendet ngjitur me vendlindjen e presidentit Thaçi. Ajo deklaron se Policia është duke punuar në këtë drejtim.
Gazeta Express
Rreth pesë hektarë tokë në pronësi të familjes Geci u mbuluan nga flakët mbrëmjen e 7 korrikut të këtij viti në Kopiliq. Ara që u kaplua nga 15 zjarre në të njëjtën kohë ishte e mbjellë me grurë dhe u përket vëllezërve Geci nga Llausha e Skenderajt.
E ndonëse po bëhen rreth një muaj nga kjo ndodhi, ende nuk është zbardhur se kush qëndron pas këtij rasti. Prokuroria ka ardhur në përfundim se zjarri ishte i qëllimshëm.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni, i ka thënë Gazetës Express se ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë rast.
“Hala nuk ka diçka të re. Rasti është ende nën hetime edhe nuk mundemi me thanë asgjë më shumë në këtë fazë. Përveç që po dyshohet se në 12-13 vende dikush ka vënë zjarr qëllimshëm, nuk ka ende të dyshuar. Policia janë duke punuar në atë drejtim, dhe në momentin që do të ketë ndonjë të re rreth këtij rasti do të iu njoftojmë”, ka thënë Preteni për Express.
Se zjarri mund të jetë ndezur qëllimshëm e kishin thënë që nga fillimi vetë pronarët e kësaj toke.
Nehat Geci i kishte thënë Gazetës Express se zjarri ishte ndezur njëkohësisht në disa pjesë të arës dhe se po dyshojnë se zjarri ishte i qëllimshëm. Por, kishte thënë se këtë punë po e lënë në dorë të Policisë e hetuesisë.
“I kemi lajmëruar zjarrfikësit, të cilët kanë ardhë edhe e kanë fikë zjarrin, i cili ishte ndezur njëkohësisht në pesë apo gjashtë vende. Dyshojmë që dikush qëllimisht i ka ndezur këto zjarre. Nuk e di se çfarë njerëz janë këta që e kallin bukën. Edhe pse i kemi disa dyshime se kush mund ta këtë bërë, po ja lëmë policisë e hetuesisë ta kryejnë punën e tyre”, kishte thënë Geci.
Ndërkohë, vëllai i tij, Nebihu, një ditë pas zjarrit kishte bërë aludime në adresë të presidentit Thaçi duke thënë se ara ndodhet afër fshatit Burojë.
“Fshati Kopiliq është ngjitë me fshatin Burojë nga vjen edhe Hashim Thaçi”, kishte shkruar ai në Facebook.
Edhe në Polici rastin e kishin cilësuar si zjarrvënie.
“Rasti është cilësuar si zjarrvënie. Janë djegur diku rreth 5 hektarë. Hetimet janë duke vazhduar”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. /Gazeta Express