120 ish-deputetë të legjislaturës së fundit, të cilët nuk janë legjitim që prej muajit gusht kur është shpërndarë kuvendi, po vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre të majme prej rreth 2 mijë euro në muaj nga Kuvendi i Kosovës edhe pse është jo funksional.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka konfirmuar për KosovaPress, se në bazë të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe rregullores së Kuvendit, ish-deputetët e legjislaturës së gjashtë të kuvendit po i marrin pagat, dhe këtë të drejtë do ta kenë deri në gusht të vitit 2020.
“Nëse nuk rizgjidhen deputetë disa prej tyre sërish në legjislaturën e ardhshme, pagat do t’i marrin deri më 27 gusht 2020”, thotë Krasniqi.
Drejtori ekzekutiv në organizatën “Çohu”, Arton Demhasaj thotë për KP, se këto paga janë të përcaktuara me ligj, por për këtë ka argumente pro dhe kundër.
Demhasaj ka kërkuar që pavarësisht që Kosova ka një buxhet të pa përballueshëm, ishte dashur që të rregullohet kjo çështje edhe për punonjësit në administratë të shtetit dhe për ata në sektorin privat që nuk kanë benificione fare, edhe pse janë kontribuues të tatimeve në paga.
Deputetët për një muaj marrin 240 mijë euro. Po ashtu, pagat po vazhdojnë t’i marrin edhe kryeministri në detyrë, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politik, privilegje për ta do të ketë sikur për ish deputetët.