Vuçiqit s’i pëlqen takimi Kurti-Ulutash për urën mbi Ibër: Do të flas me Rutte-n

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj paralajmërimeve të kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti, se sot pasdite do të takohet me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş, për të diskutuar hapjen e urës mbi Ibër.
Vuçiq, ka thënë se Serbisë po i dërgohet sinjal se nuk ka kuptim të negociojë, pasi Marrëveshja e Brukselit ende nuk është zbatuar.
“Gjithçka që bën Kurti dhe gjithçka që ata bëjnë me të është absurditet total. Parashtroj vetëm një pyetje: Kur do ta zbatoni Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në prill të vitit 2013? Asgjë më shumë, vetëm këtë. Ju nga Bashkimi Evropian e keni vendosur nënshkrimin, kur do ta zbatoni?”, ka pyetur ai.
Siç ka thënë Vuçiq, delegacioni i Serbisë deri më tani ka negociuar 50 herë për hapjen e urës mbi Ibër, në kuadër të dialogut të Brukselit.

Lexo edheUra e Ibrit rikthehet në qendër të debatit, Kurti kërkon hapjen – takimi me komandantin e KFOR-it u anulua
“Kështu po na jepni sinjal se nuk ka kuptim të bisedojmë dhe të negociojmë, edhe pse ne gjithmonë kemi negociuar. Për çfarë të bisedojmë? Kemi negociuar 50 herë për urën mbi Ibër, ndërsa tani do ta zgjidhni me forcë, së bashku me miqtë tuaj të NATO-s. Do të shohim. Do të bisedoj me Rutte-n. Thashë se ishte një bisedë e sjellshme, por jo e mirë, mes Milan Mojsiloviqit dhe Ulutaşit”, ka përfunduar Vuçiq.
Ndryshe, takimi i paralajmëruar nga Kurti mes tij dhe Ulutas nuk është zhvilluar. Si arsye për anulimin e këtij takimi, KFOR ka përmendur ‘’rrethana ta paparashikuara’’.












