Lladrovci kërkon fundin e bllokadës institucionale: Të fillojë numërimi mbrapa 24 orësh për krijimin e institucioneve

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike në vend, duke kërkuar që të ndërmerren hapa për zhbllokimin e institucioneve të Kosovës.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Lladrovci ka propozuar nisjen e një “numërimi mbrapa” prej 24 orësh për krijimin e institucioneve, duke e lidhur këtë edhe me pritjet për vendimin në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, transmeton lajmi.net.
“Numërimi mbrapa në Sheshin e Prishtinës, është simbolikë për padrejtësinë që duhet të ndalet ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes, Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhës”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka thënë se ditët, orët, minutat dhe sekondat që kalojnë, sipas tij, e afrojnë Kosovën me një vendim të pafajësisë për ish-krerët e UÇK-së.
“Janë ditët, orët, minutat dhe sekondat që na ndajnë nga vendimi i pafajësisë për çlirimtarët, shtetformuesit e shtetndërtuesit tanë”, ka deklaruar ai.
Lladrovci ka ngritur edhe pyetjen se ku ndodhet shteti në një situatë të tillë, duke vlerësuar se institucionet kanë mundësi për të dalë nga ngërçi politik.
“Në këtë numërim mbrapa, ku është shteti ynë?”, ka shkruar ai, duke shtuar se Kosova duhet të ecë përpara me themelimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe më pas me një takim në frymën e mirëkuptimit për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, një proces i tillë do të përbënte “ecje përpara” për vendin.
Lladrovci ka kritikuar gjithashtu bllokadën e institucioneve, duke theksuar se një situatë e tillë nuk duhet të jetë pjesë e funksionimit të një shteti demokratik.
“Asnjë kushtetutë evropiane e as Kushtetuta jonë, nuk e ka paraparë ndonjë dënim për ata që e bllokojnë Kuvendin e ri të dalë nga vota e qytetarit. Bllokada në shtetin demokratik nuk është opsion”, ka shkruar Lladrovci.

Lexo edheTakimi i paralajmëruar Kurti- Ulutas, Vuçiq: Po japin sinjal që s’ka kuptim të dialogojmë, do flas me Rutte
Ai ka shprehur shqetësim se vazhdimi i ngërçit institucional mund të përcjellë mesazh negativ edhe tek shtetet aleate që kanë mbështetur Kosovën në procesin e çlirimit dhe shtetndërtimit.
“Kjo bllokadë, është një lajm jo i mirë për shtetet aleate që na ndihmuan të çlirohemi dhe ta ndërtojmë shtetin”, ka thënë ai.
Lladrovci ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke argumentuar se institucionet e Kosovës duhet të tregojnë respekt ndaj figurave që, sipas tij, kanë kontribuar në krijimin e shtetit.
“Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, meritojnë respekt nga institucionet që i ndërtuan me aleatët, meritojnë respekt nga ata që pranuan respekt me e pa meritë”, thuhet në deklaratën e tij.
Në fund, Lladrovci ka bërë thirrje që të nisë një afat 24-orësh për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
“Fundja, të fillojë numërimi mbrapa 24 orësh për krijimin e institucioneve të shtetit. Ne meritojmë më mirë, më mirë për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, për Kosovën dhe shtetet aleate që na besuan!”, përfundon deklarata e tij./lajmi.net/












