Mbi 100 ish-diplomatë britanikë e francezë kërkojnë sanksione ndaj Izraelit

Më shumë se 100 ish-diplomatë të lartë britanikë dhe francezë u kanë bërë thirrje qeverive të Britanisë dhe Francës që të ndërmarrin masa konkrete ndaj Izraelit, duke e akuzuar qeverinë izraelite se po shkatërron perspektivën për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Në letrën e përbashkët, të nënshkruar nga 102 ish-diplomatë dhe drejtuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Andy Burnham, thuhet se “Palestina po fshihet para syve tanë”.
Nënshkruesit kërkojnë pezullimin e marrëveshjeve tregtare me Izraelin, ndalimin e transferimit të armëve, kufizimin e bashkëpunimit ushtarak dhe ndalimin e tregtisë me vendbanimet izraelite në territoret palestineze të okupuara. Ata kërkojnë gjithashtu masa ndaj kompanive dhe individëve të përfshirë në aktivitetet e vendbanimeve.
Ish-diplomatët e akuzojnë Izraelin për ndjekjen e politikave që, sipas tyre, përbëjnë spastrim etnik dhe synojnë të pamundësojnë krijimin e një shteti palestinez të qëndrueshëm.
Ata theksojnë se njohja e shtetit të Palestinës nga Britania dhe Franca në vitin 2025 rrezikon të mbetet vetëm një veprim simbolik nëse nuk shoqërohet me masa konkrete.

Lexo edheZjarr në Studime të Vushtrrisë, banorët ankohen se po u mungon ndihma
Në mesin e nënshkruesve britanikë janë ish-ambasadorët në OKB, Jeremy Greenstock dhe Emyr Jones Parry, ndërsa letra përfshin edhe një numër ish-diplomatësh francezë që kanë mbajtur poste të larta në Lindjen e Mesme.
Në letër dënohen gjithashtu krimet e Hamasit të 7 tetorit 2023, por nënshkruesit argumentojnë se ato nuk justifikojnë, sipas tyre, shkatërrimin sistematik të Gazës dhe vuajtjet e popullsisë palestineze.












