SHBA vendos tarifa 50% ndaj Kanadasë, Otava paralajmëron kundërpërgjigje “dollar për dollar”

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja prej 50 për qind ndaj rreth 20 miliardë dollarëve mallra të importuara nga Kanadaja, duke përshkallëzuar më tej tensionet tregtare mes dy vendeve fqinje dhe aleate.
Vendimi i administratës së presidentit Donald Trump vjen pasi negociatat tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës nuk arritën të përmbylleshin me një marrëveshje. Sipas raportimeve, masat e reja amerikane prekin rreth 5 për qind të eksporteve vjetore kanadeze drejt SHBA-së, transmeton lajmi.net.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka paralajmëruar se vendi i tij do t’u përgjigjet tarifave amerikane me masa të ngjashme. Sipas tij, tarifat hakmarrëse pritet të hyjnë në fuqi më 8 shtator.
“Kanadaja do t’i përputhë tarifat e reja të Uashingtonit dollar për dollar, për të mbrojtur punëtorët, fermerët, familjet dhe bizneset kanadeze”, deklaroi Carney në një konferencë për media në Otavë.
Masat e Kanadasë pritet të përfshijnë një sërë sektorësh, mes tyre çelikun, produktet e qumështit, pajisjet elektroshtëpiake, makineritë bujqësore, industrinë e pulpës dhe letrës, si dhe elektronikën.
Carney tha se qeveria e tij kishte qenë e gatshme të bënte lëshime dhe të hiqte disa prej tarifave ekzistuese ndaj produkteve amerikane, nëse Uashingtoni do të ofronte ulje të konsiderueshme të tarifave për çelikun, aluminin, automobilat dhe produktet e tjera kanadeze.
Megjithatë, sipas kryeministrit kanadez, kërkesat e paraqitura në fazën përfundimtare të negociatave ishin të papranueshme.
“Kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”, tha Carney, duke shtuar se ndryshimet e bëra në momentet e fundit nga pala amerikane ishin, sipas tij, “të padrejta, joekonomike dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje”.
Sipas tij, propozimet e fundit të SHBA-së do të kufizonin përfitimet tarifore për automjetet e prodhuara në Kanada, do të ndikonin në aftësinë e Otavës për të lidhur marrëveshje të reja tregtare me vende të tjera dhe do të prekshin çështje që Kanadaja i konsideron të lidhura me gjuhën, kulturën dhe sovranitetin e saj.
“Këto kërkesa ishin të papranueshme”, deklaroi Carney.
Ai bëri të ditur se negociatat janë pezulluar dhe se ekipi kanadez i angazhuar në bisedime është kthyer në Otavë.

Lexo edheLladrovci kërkon fundin e bllokadës institucionale: Të fillojë numërimi mbrapa 24 orësh për krijimin e institucioneve
Nga ana tjetër, përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, e ka fajësuar Kanadanë për dështimin e marrëveshjes. Ai tha se Otava kishte refuzuar ta përfundonte marrëveshjen mbi bazën e kushteve për të cilat, sipas tij, ishte arritur dakordim më herët gjatë javës.
“Sonte, Kanadaja refuzoi ta finalizojë marrëveshjen tregtare sipas kushteve të dakordësuara në fillim të kësaj jave”, deklaroi Greer.
Sipas tij, Uashingtoni kishte ofruar kushte të favorshme për Kanadanë, por kërkesat e reja të palës kanadeze dhe ndryshimet në disa prej angazhimeve të saj e prishën kompromisin e arritur gjatë negociatave.
Greer e përshkroi ofertën amerikane si një marrëveshje të orientuar drejt së ardhmes, e cila do të krijonte një “partneritet historik ekonomik dhe të sigurisë kombëtare”.
Për momentin, nuk janë paralajmëruar raunde të reja negociatash mes dy vendeve.
Carney ka bërë të ditur se qeveria kanadeze do të prezantojë gjatë ditëve të ardhshme masa të tjera për të mbështetur punëtorët dhe kompanitë që mund të preken nga përshkallëzimi i konfliktit tregtar.
Tensionet e fundit paraqesin një përkeqësim të dukshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, të cilat tradicionalisht kanë qenë ndër partnerët më të afërt të njëri-tjetrit.
SHBA-ja dhe Kanadaja kanë një marrëdhënie të fuqishme tregtare, ndërsa vitin e kaluar shkëmbyen mallra dhe shërbime në vlerë prej rreth 880 miliardë dollarësh. Çdo ditë, kufirin mes dy vendeve e kalojnë qindra mijëra persona dhe transportohen mallra në vlerë prej miliarda dollarësh.
Përshkallëzimi i ri ngre pikëpyetje edhe për të ardhmen e marrëveshjes tregtare trepalëshe mes SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, e cila ishte arritur gjatë mandatit të parë të Donald Trump./lajmi.net/












