Një aksident tragjik ka ndodhur të mërkurën, më 30 korrik 2025, në qytetin e Prizrenit, ku një punëtor rreth 40-vjeçar nga Drenasi ka humbur jetën pas rrëzimit nga lartësia gjatë punës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45, në një objekt ku po kryheshin punime ndërtimore. Viktima, identiteti i të cilit është N.XH., po punonte në kulmin e objektit kur, për shkaqe ende të paqarta, ka rënë dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, është konfirmuar i vdekur.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar për Lajmi.net se njësitet policore kanë ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. “Janë marrë dëshmi në vendngjarje dhe janë njoftuar hetuesit kujdestarë si dhe prokurori i rastit,” ka thënë Bytyqi.
Prokurori kompetent ka autorizuar fillimin e procedurës penale për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.” Ndërkohë, mbikëqyrësi i punimeve dhe investitori i projektit janë intervistuar si të dyshuar dhe janë ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë.
Rasti mbetet nën hetim./lajmi.net/