Një ngjarje tragjike ndodhi të mërkurën pasdite në Patisia të Greqisë, ku një grua u gjet e vdekur në apartamentin e saj, menjëherë pasi kishte lindur e vetme në shtëpi.
Edhe foshnja e porsalindur u gjet pa shenja jete, me kordonin e kërthizës të prerë, ndërsa gjithçka kishte ndodhur para syve të dy fëmijëve të saj të mitur, të moshave 3 dhe 5 vjeç, raporton Euronews.al.
Sipas të dhënave paraprake, gruaja me shtetësi greke ishte në një fazë të avancuar të shtatzënisë dhe pritej të lindte në ditët në vijim.
Bashkëshorti i saj, me origjinë nga Gjeorgjia, u shpreh për autoritetet se ishte alarmuar kur nuk kishte mundur ta kontaktonte, pasi telefoni i saj ishte i fikur.
Ai u kthye me urgjencë në banesën e tyre në Patisia dhe pa gruan e tij dhe të porsalindurin të shtrirë në dyshemenë e dhomës së ndenjjes, pa ndjenja.
Sipas dëshmisë, ai së bashku me një fqinj u përpoq ta ringjallte gruan përmes CPR-së, por pa rezultat.
Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa pritet që ekspertiza e mjekut ligjor të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e vdekjes së nënës dhe foshnjës.