Një 54-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia, pasi tentoi të nxirrte nga Shqipëria përmes pikës së kalimit kufitar në Kakavijë, 48 mijë e 400 euro pa i deklaruar.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e eurove.
Po ashtu Policia bën të ditur se 54-vjeçari është banues në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
PKK Kakavijë-Tentoi të nxirrte nga Shqipëria, 48 400 euro, pa i deklaruar, procedohet penalisht 54-vjeçari.
Sekuestrohet shuma e parave.
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit Sh. B., ku u gjetën 48 400 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin Sh. B., 54 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./Indeksonline/