Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rënduar sërish gjatë muajve të fundit, ku Serbia vazhdon me avazin e vjetër të ndalimit të shtetasve të Kosovës në pika kufitare.
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës që po kalojnë tranzit në Serbi nga autoritetet serbe kanë ngritur alarm tek ndërkombëtarët, shkruan lajmi.net.
Dje dy shtetet mike të Kosovës, ShBA dhe Britania e Madhe dolën publikisht me thirrje që dy vendet t’i rikthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati gjatë një deklarimi për Gazetën Express ritheksoi se dialogu është kanali për zgjidhjen e çështjeve.
“Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është tejet e rëndësishme. Çdo plan për ta ndryshuar statusin e institucioneve paralele duhet të jetë i koordinuar plotësisht dhe të diskutohet paraprakisht me udhëheqësit e zgjedhur dhe anëtarët e komunitetit serb të Kosovës dhe të koordinohet përmes kanaleve të vendosura siç është Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me një afat kohor dhe plan të qartë të përcaktuar. Nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë në mënyrë të përgjegjshme”, tha ajo.
Të njëjtën thirrje e bëri dje edhe Britania e Madhe.
Emisarja e për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce në një telefonatë që e pati dje me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti ia ritheksoi atij se dialogu është rruga për të zgjidhur problemet.
“Dame Karen Pierce, e dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, bisedoi sot me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të diskutuar shqetësimet e saj lidhur me tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe nevojën për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dame Karen theksoi se Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të mirëpresë përfaqësuesit e Kosovës në takimet e Procesit të Berlinit, që do të mbahen në tetor në Mbretërinë e Bashkuar. Dame Karen do të bisedojë gjithashtu edhe me Presidentin e Serbisë.”, u tha në njoftimin e djeshëm të ambasadës britanike në Kosovë.
E dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur thuajse në rrugë pa dalje që nga koha e sulmit terrorist në Banjskë.
Dialogu ka stagnuar krejtësisht, derisa nga vendet e QUINT-it theksohet se e vetmja zgjidhja e problemeve në mes dy vendeve mbetet pikërisht dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja.
E sot në Prishtinë për vizitë zyrtare vie edhe emisari i BE-së për dialog, Peter Sorensen. Sorensen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, derisa agjenda e tij e takimeve të tjera zyrtare nuk është bërë e ditur./Lajmi.net/