Shtrenjtimi i grurit frikëson francezët, mund të rritet çmimi i bukës së famshme

Rritja e kostos së grurit po i alarmon amvisëritë franceze, që po frikësohen për rritje të mundshme të çmimit të bukës së famshme “baguette”, që nga shumë njerëz shihet si matëse e shëndetit ekonomik të vendit.
Shumë furra buke në Francë kanë publikuar njoftime për t’i paralajmëruar klientët se buka e gjatë dhe e fortë mund të shtrenjtohet për 3 deri në 5 centë, nga çmimi mesatar prej 89 centësh.
“Ndonëse kjo mund të mos duket shumë, është një rritje e madhe. Buga baguette është e çmuar. Është shtrenjtuar vetëm për 23 centë në 20 vitet e fundit”, tha Dominique Anract, kryetar i Shoqatës Franceze të Furrave dhe Shitoreve të Brumërave.
Rritja e paralajmëruar e çmimit në industrinë e bukës është lidhur me një rritje globale prej 30 për qind të çmimit të grurit nga shtatori për shkak të rendimenteve të dobëta nga Rusia, tha Anract.

Lexo edheBE-ja dyshon për manipulim të çmimeve
Sipas tij dhe ekspertëve të tjerë, faktor është edhe rritja e çmimit të energjisë, që po e bën më të shtrenjtë operimin e furrave, shkruan Associated Press, transmeton Gazeta Express.
Popullsia 67-milionëshe e Francës është konsumuese e zellshme e bukës baguette. Sipas të dhënave të institucionit “Vëzhguesi i Bukës”, francezët hanë 320 bukë baguette çdo sekondë. Kjo i bie gjysmë buke për person në ditë ose dhjetë miliardë bukë në vit.














