“10 ditë afat për t’i larguar pajisjet”, Pacollit i reagojnë nga restoranti në Radoniq: S’na është dorëzuar asnjë vendim, puna vazhdon

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dje ka njoftuar se Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Pacolli tha se ky vendim është marrë për “mbrojtjen e ujit të pijes” dhe tha se biznesi “ka funksionuar në kundërshtim të plotë me legjislacionin mjedisor”.
Për këtë deklaratë të saj, ka reaguar restoranti “Liqeni i Dukagjinit”, që në një postim në Facebook thotë se nuk ka pranuar ndonjë vendim për mbyllje të aktivitetit.
“Dua t’i njoftoj klientët tanë, bashkëpunëtorët dhe opinionin publik se Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit është i hapur dhe vazhdon aktivitetin e tij normalisht. Deri në këtë moment, kompanisë sonë nuk i është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht asnjë vendim për mbylljen e aktivitetit”.
Po ashtu, ky biznes tha se ne nuk kanë pranuar asnjë vërejtje apo konstatim zyrtar se veprimtaria e tyre ka shkaktuar ndotje, dëmtim apo prishje të cilësisë së ujit, “ashtu siç është lënë të kuptohet në deklaratat publike”.
“Liqeni Dukagjin Sh.P.K. posedon dokumentacionin përkatës për ushtrimin e veprimtarisë së saj, dhe jemi plotësisht të gatshëm që çdo çështje ta sqarojmë dhe ta trajtojmë përpara institucioneve kompetente. Ne i respektojmë institucionet e Republikës së Kosovës dhe do t’i përgjigjemi çdo procedure institucionale dhe ligjore me transparencë të plotë”.

Lexo edheNgritet aktakuzë ndaj pilotit kroat dhe partneres së tij serbe që spiunuan për situatën në veri
Kompania tha se deklarata e Pacollit dëmton imazhin e saj, ndërsa tha se lajmi për mbyllje ka shkaktuar shqetësim te punëtorët e saj.
“Ajo që na ka prekur veçanërisht është fakti se një deklaratë e tillë publike prek jo vetëm emrin dhe reputacionin e kompanisë, por edhe mbi 60 punëtorë të punësuar në biznesin tonë. Pas secilit prej tyre qëndron një familje që mbahet nga paga dhe puna e ndershme që realizohet çdo ditë në këtë kompani. Prandaj, jemi thellësisht të prekur nga deklarata e dhënë, sepse publikimi i lajmit për mbylljen e biznesit, pa na u dorëzuar paraprakisht një vendim zyrtar, ka shkaktuar shqetësim te klientët, partnerët, punëtorët dhe familjet e tyre, si dhe dëm serioz në imazhin e kompanisë sonë”.
Kompania tha se kërkon respektimin e procedurave ligjore, transparencë dhe trajtim të drejtë institucional.
“Nëse ekziston ndonjë pretendim ndaj kompanisë sonë, jemi të gatshëm të përballemi me të përmes institucioneve përkatëse dhe të paraqesim çdo dokument që kërkohet”.












