Saga e Manchester United për të gjetur një sulmues të ri vazhdon, ndërsa trajneri Ruben Amorim duket se ka dhënë sinjalet e tij të qarta për drejtuesit e klubit.
Edhe pse “Djajtë e Kuq” kanë nisur bisedimet me RB Leipzig për Benjamin Sesko, preferenca e teknikut portugez është një emër tjetër: Ollie Watkins i Aston Villas.
Sipas raportimeve të gazetarëve Ben Jacobs dhe Alex Crook për talkSPORT, Manchester United tashmë ka nisur kontaktet me Leipzig dhe ka dërguar një delegacion në Gjermani për të biseduar rreth një marrëveshjeje për Sesko.
Kjo lëvizje është shtyrë nga drejtuesi i rekrutimit në klub, Christopher Vivell, ndërsa negociatat i udhëheq Matt Hargreaves. Klubi besohet se mund ta sigurojë Sesko-n për një shumë rreth 70 milionë euro.
Megjithatë, pavarësisht përparimit në drejtim të Sesko-s, Ruben Amorim raportohet se nuk është i bindur se 22-vjeçari slloven është profili ideal për repartin ofensiv të skuadrës. Trajneri preferon një sulmues me më shumë përvojë dhe me eksperiencë të dëshmuar në Premier League – konkretisht, Ollie Watkins.

29-vjeçari i Aston Villas ka qenë shpesh i lidhur me një transferim te United gjatë javëve të fundit. Watkins është ndër lojtarët më të rëndësishëm të Villas dhe klubi nga Birminghami ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta shesë – përveç nëse vjen një ofertë e jashtëzakonshme.
Në të njëjtën kohë, mungesa e pjesëmarrjes së United në garat evropiane mund ta bëjë edhe më të vështirë bindjen e sulmuesit për një transferim.
Manchester United tashmë ka investuar shuma të mëdha në ofensivë këtë verë, duke afruar Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo për shifra të larta. Megjithatë, dëshira e Amorimit për një qendërsulmues me përvojë ende mbetet e paplotësuar.
Newcastle United, ndërkohë, po rrezikon të humbasë Sesko-n gjithashtu, teksa interesi i Manchester United po intensifikohet dhe po i paraprin konkurrencës për firmën e tij.
Rrjedhimisht, United ndodhet përpara një dileme: të ndjekë potencialin afatgjatë të Sesko-s apo t’i përmbahet kërkesës së trajnerit për një golashënues të gatshëm për të bërë diferencën menjëherë. /GazetaExpress/