E rëndë: Albert Sylaj e vrau Arlinda Zekajn në prani të djalit të saj, thuhet në dosjen e Prokurorisë

Detaje të rënda nga dosja e Prokurorisë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt janë bërë publike.
Sipas dokumenteve, të siguruar nga Klan Kosova, Albert Sylaj, vëllai i bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, e goditi Arlindën disa herë me sëpatë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vendin e ngjarjes, transmeton lajmi.net.
Në dosjen e Prokurorisë përshkruhen rrethanat e natës kritike, kur Arlinda u kthye në shtëpi pasi kishte raportuar dhunën në Stacionin Policor në Pejë.
Sipas dosjes, pas ndalimit të vëllait të tij nga policia, Albert Sylaj mori një sëpatë dhe hyri në dhomën e gjumit të Arlindës, në shenjë hakmarrjeje.
Kur ai hyri në dhomë, Arlinda u përpoq të fshihej pas derës, por Albert Sylaj e goditi disa herë me sëpatë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, si pasojë e së cilës ajo vdiq në vendin e ngjarjes.
Krimi ndodhi në prani të fëmijëve të Albert Sylajt dhe djalit të Arlindës, sipas përshkrimit në dosjen e Prokurorisë.
Prokuroria e ka cilësuar rastin si vrasje të rëndë, të kryer ndaj një anëtari të familjes, për motive të hakmarrjes së paskrupullt dhe në mënyrë mizore.

Lexo edhe“Motër? A të vjen dikush te ti?” – Kronologjia e muajve të fundit nga jeta e Arlinda Zekajt
Prokuroria ngre shqetësime për të kaluarën penale të Sylajt
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, Prokuroria ka theksuar rrezikun e përsëritjes së veprave penale, duke iu referuar të kaluarës penale të Albert Sylajt. Sipas dosjes, ai ka katër raste me aktgjykime të formës së prerë.
Po ashtu, në dokumentet e Prokurorisë thuhet se Sylaj posedonte një pistoletë të tipit A8 pa leje nga organet kompetente. Sipas dosjes, arma ende nuk ishte siguruar si provë.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe i ka caktuar Albert Sylajt një muaj paraburgim.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për llogaridhënie institucionale, pasi ajo kishte raportuar dhunën dhe kishte kërkuar mbrojtje para se të vritej./lajmi.net/












