RrGK fton qytetarët në protestën e 25 nëntorit: Vrasjet e grave duhet të trajtohen si femicide, jo si raste të izoluara

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që vrasjet e grave në Kosovë të trajtohen si femicide dhe të mos konsiderohen raste të izoluara, duke theksuar nevojën për masa konkrete institucionale për parandalimin e tyre.
Në një reagim pas vrasjes së dyfishtë në Gjilan, RrGK ka vlerësuar se kjo ngjarje e rikthen vëmendjen te urgjenca për ta trajtuar femicidin si fenomen të lidhur me pabarazinë gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit, transmeton lajmi.net.
Sipas organizatës, megjithëse legjislacioni në Kosovë e njeh gjininë si rrethanë rënduese, kjo nuk mjafton nëse rastet e vrasjeve të grave nuk hetohen edhe në kontekstin e dhunës me bazë gjinore dhe rrethanave që u kanë paraprirë.
RrGK ka kërkuar miratimin e një përkufizimi ligjor të femicidit, si dhe krijimin e një mekanizmi “Femicide Watch”, i cili do të mundësonte monitorimin dhe analizimin sistematik të rasteve, identifikimin e dështimeve institucionale dhe parandalimin e vrasjeve të ardhshme.
Organizata ka theksuar gjithashtu se mungesa e raportimeve paraprake për dhunë nuk duhet të interpretohet si dëshmi se ajo nuk ka ekzistuar. Sipas saj, institucionet duhet të hetojnë historikun e marrëdhënieve, kërcënimet, kontrollin dhe format e tjera të mundshme të dhunës, në mënyrë që rrethanat para vrasjes të merren parasysh gjatë hetimeve dhe përcaktimit të përgjegjësisë penale.
“Drejtësia nuk mund të kufizohet vetëm te momenti i vrasjes. Ajo duhet ta shqyrtojë kontekstin e plotë të dhunës dhe çdo dështim institucional që mund të ketë kontribuar në humbjen e jetës”, thuhet në qëndrimin e RrGK-së.
Në kuadër të thirrjes për më shumë angazhim kundër dhunës ndaj grave, RrGK ka ftuar qytetarët, organizatat dhe institucionet që më 25 nëntor t’i bashkohen protestës gjithëpopullore kundër vrasjes së grave dhe dhunës me bazë gjinore.
“Le ta kthejmë solidaritetin në veprim dhe të kërkojmë drejtësi, llogaridhënie dhe masa konkrete për parandalimin e femicideve”, thuhet në thirrjen e organizatës.
Njoftimi i plotë:
RrGK: Vrasjet e grave duhet të trajtohen si femicide, jo si raste të izoluara

Lexo edheShaheen nga Tirana: Ajo që ndodh në Kosovë ndikon edhe në stabilitetin e Shqipërisë
Vrasja e djeshme në Gjilan është një tjetër kujtesë e dhimbshme për urgjencën që Kosova ta trajtojë femicidin si fenomen të rrënjosur në pabarazinë gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit.
Edhe pse legjislacioni ynë e njeh gjininë si rrethanë rënduese, kjo nuk mjafton nëse vrasjet e grave nuk hetohen dhe trajtohen në kontekstin e dhunës me bazë gjinore dhe rrethanave që u kanë paraprirë.
Kosovës i duhet urgjentisht një përkufizim ligjor i femicidit dhe krijimi i një mekanizmi Femicide Watch për monitorimin dhe analizimin sistematik të rasteve, identifikimin e dështimeve institucionale dhe parandalimin e vrasjeve të ardhshme. Këto masa janë në përputhje me frymën dhe kërkesat e Konventës së Stambollit për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të kryerësve.
Një grua nuk duhet ta ketë raportuar dhunën që ajo të merret seriozisht nga drejtësia. Mungesa e një raportimi paraprak nuk është dëshmi e mungesës së dhunës. Institucionet duhet të hetojnë historikun e marrëdhënies, kërcënimet, kontrollin dhe format e tjera të mundshme të dhunës, në mënyrë që përvojat e gruas para vrasjes të merren parasysh në hetim dhe në përcaktimin e përgjegjësisë penale.
Drejtësia nuk mund të kufizohet vetëm te momenti i vrasjes. Ajo duhet ta shqyrtojë kontekstin e plotë të dhunës dhe çdo dështim institucional që mund të ketë kontribuar në humbjen e jetës.
Më 25 nëntor, RrGK fton të gjithë qytetarët dhe qytetaret, organizatat dhe institucionet t’i bashkohen protestës gjithëpopullore kundër vrasjes së grave dhe dhunës me bazë gjinore. Le ta kthejmë solidaritetin në veprim dhe të kërkojmë drejtësi, llogaridhënie dhe masa konkrete për parandalimin e femicideve.
Asnjë grua më pak. Asnjë vrasje pa drejtësi.
Opinion nga Adelina Berisha, Drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK)./lajmi.net/












