Interpoli e kërkon për Banjskën, Radoiçiq del me djalin e Vuçiqit në tubim zgjedhor në Kragujevc

Në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), së bashku me Danilo Vuçiqin, djalin e ish-presidentit të Serbisë, ishte edhe një person në kërkim nga Interpoli – Milan Radoiçiq, raporton mediumi serb “N1”.
Siç shihet në pamjet e xhiruara nga ky medium, Milan Radoiçiq ndodhej pranë Danilo Vuçiqit para sallës “Jezero”, ku u mbajt tubimi i SNS-së në Kragujevc.
Danilo Vuçiq mbërriti në tubimin e SNS-së i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese. Më pas ata shihen bashkë.
Videon mund ta shihni brenda këtij linku të N1
Ish-nënkryetari i Listës Srpska, Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, është në kërkim nga Interpoli.
Organizata Ndërkombëtare e Policisë, Interpol, lëshoi në dhjetor të vitit 2023 urdhër-arrest për Milan Radoiçiqin dhe 11 persona të tjerë, për shkak të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, në veri të Kosovës.

Lexo edheArrestohen dy persona në Tiranë, modifikonin makineta të lojërave të fatit me programe ilegale
BE dhe NATO në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Serbisë që ta mbajnë përgjegjës Radoiçiqin dhe të tjerët e grupit që udhëhoqi ai për sulmin e Banjskës.
Ndërkaq, për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, biznesmenët serbë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq janë nën sanksionet amerikane prej gati pesë vitesh.
N1 raporton se Radoiçiq me një grup njerëzisht kishin frikësuar banorët e Kosjeriqit në Serbi gjatë zgjedhjeve lokale në këtë qytet.
“Vitin e kaluar, në Kosjeriq u mbajtën zgjedhjet lokale. Dëshmitarët okularë, si dhe grupi qytetar “Njerëz të ndershëm për një Kosjeriq të pastër”, deklaruan se Milan Radoiçiq kishte qenë i pranishëm atje, në prag të tubimit të SNS-së, për një vizitë që e cilësuan si “kërcënuese”. Sipas dëshmive të banorëve të kësaj komune, Radoiçiqi kishte mbërritur në Kosjeriq me një grup njerëzish, me disa automjete fuoristradë. Ata kishin vizituar kafene, ishin takuar me zyrtarë lokalë dhe, gjatë qëndrimit të tyre, kishin frikësuar e kërcënuar qytetarët”, raporton ky meidum.












