Mbahet mbledhja e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, paraditen e sotme mori pjesë në mbledhjen e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM) ‘’Prishtina 2030’’, ku u shqyrtua ecuria e përgatitjeve dhe hapat përpara.
Në këtë mbledhje, u trajtuan edhe çështjet e ngritura në komunikimin e fundit nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), në funksion të vazhdimit të punës dhe bashkëpunimit për organizimin e Lojërave.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se synimi i përbashkët është organizimi i suksesshëm i ‘’Prishtina 2030’’, ndërsa theksoi se për këtë duhet bashkëpunim i ngushtë dhe angazhim i përbashkët gjatë gjithë përgatitjeve.

Lexo edheMaqedonci takohet me zyrtaren e USEUCOM-it, diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje
“Për t’i çuar përpara përgatitjet, na duhet kuptim i përbashkët i drejtimit që ndjekim dhe i hapave që do të ndërmarrim. Në përcaktimin e investimeve, krahas kërkesave për organizimin e Lojërave, duhet të na udhëheqin prioritetet e zhvillimit të vendit dhe nevojat e qytetarëve. Kjo i shërben edhe bashkëpunimit me ICMG-në dhe përmbushjes së angazhimeve që kemi marrë përsipër”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria mbetet e angazhuar për përmbushjen e zotimeve të dhëna që në fazën e kandidaturës dhe se i njëjti përkushtim ndaj zotimeve të përbashkëta duhet ta udhëheqë punën e të gjithëve.












