Pas ngërçit dyditor: Të dielën në orën 10:00 testi i radhës për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të marrë një rrjedhë tjetër këtë të diel, pas një jave të tensionuar plot përplasje, lëshime të sallës dhe kërcënime me dërgim lënde në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi ka njoftuar se vazhdimi i seancës do të mbahet nesër, më 13 shtator, duke filluar nga ora 10:00, me pikë të rendit të ditës zgjedhjen e nënkryetarëve.
Kjo kthesë vjen pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka ndryshuar qëndrim duke vendosur që deputetët e saj të votojnë pro kandidatëve të opozitës, Vlora Çitakut nga PDK dhe Kujtim Shalës nga LDK. Nga LVV-ja kanë theksuar se ky hap ndërmerret për t’i dhënë vendit stabilitet institucional dhe për të parandaluar një palë zgjedhje të reja të parakohshme, të katërtat në më pak se dy vjet, të cilat i kanë cilësuar si të kushtueshme dhe të panevojshme. Partia në pushtet ka bërë të qartë se pret që ky vullnet i mirë të reflektohet nga opozita me konstruktivitet në fazën e ardhshme kur të votohet për presidentin e vendit, transmeton lajmi.net.
Kriza e re në parlament shpërtheu më 11 shtator, pasi procesi i konstituimit ngeci sërish rreth mënyrës së votimit të pesë nënkryetarëve. Ndonëse gjatë javës Kuvendi kishte bërë hapa përpara duke zgjedhur kryetaren e re dhe deputetin Ardian Gola si nënkryetar nga radhët e LVV-së me 101 vota pro, situata u tensionua kur Vlora Çitaku e PDK-së dështoi të kalonte në raundin e parë, duke marrë vetëm 44 vota pro dhe 56 abstenime, çka bëri që deputetët e opozitës të lëshonin sallën dhe të paralajmëronin Gjykatën Kushtetuese. Pakënaqësia u thellua kur LDK-ja braktisi sallën pas tentativës për të votuar individualisht Kujtim Shalën pa u mbyllur paraprakisht çështja e partisë së dytë, duke detyruar udhëheqjen e seancës ta shtyjë atë për të dielën.
Me ndryshimin e qasjes së Vetëvendosjes për të mos kushtëzuar emrat dhe për t’i votuar Çitakun e Shalën, seanca e së dielës synon të mbyllë ngërçin institucional të krijuar pas certifikimit të zgjedhjeve.

Lexo edheForumi Ekonomik Botëror viziton Prishtinën: Kurti thekson rrugën drejt BE-së dhe potencialin e investimeve
Por, mbetet të shihet nëse PDK do t’i “hajë” fjalët e veta dhe të rikthehet në seancë. Pas seancës së 11 shtatorit, PDK kishte thënë se më nuk do të jetë pjesë e punimeve të Kuvendit dhe se lëndën do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese./lajmi.net/












