Ndërkohë që mijëra qytetarë u mblodhën sot në Prishtinë në “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Policia e Kosovës ka zbatuar një plan operativ në pjesën veriore të vendit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me simbole kombëtare në Mitrovicën e Veriut.
Lidhur me këto masa, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar për lajmi.net se ky plan nuk përbën diçka të jashtëzakonshme, por theksoi se synimi kryesor është parandalimi i prishjes së rendit dhe qetësisë publike në këtë zonë të ndjeshme.
Kufizimi i lëvizjes së automjeteve me simbole kombëtare në veri vjen në një ditë të tensionuar dhe të ngarkuar nga ana simbolike dhe politike, vetëm pak ditë para shpalljes së vendimit të Hagës më 16 shtator, duke shtuar masat e sigurisë në pikat kyçe të vendit për të shmangur çdo incident të mundshëm pas tubimit masiv në kryeqytet./lajmi.net/