Në mesin e mijëra qytetarëve që sot iu bashkuan “Marshit për Liri” në Prishtinë, ishte edhe Fahri Fazliu i ri, nipi i dy heronjve të kombit, Fahri dhe Bahri Fazliut.
Pas pjesëmarrjes në marshin e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, Fazliu ka përcjellë një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale, trasnetmon lajmi.net.

“Sot, marshuam për të vërtetën, për dinjitetin kombëtar, në mbrojtje të çlirimtarëve!”, shkroi ndër të tjera ai.
Në postimin e tij, Fazliu ka ngritur lart figurën e UÇK-së, duke e cilësuar atë si simbol të qëndresës dhe të luftës për liri.
“Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, simbol i qëndresës dhe i luftës për liri! Rroftë populli shqiptar! Rroftë lufta jonë çlirimtare! Liri për çlirimtarët! UÇK-ja dje, sot dhe përgjithmonë!”, shkroi ai.
“Marshi për Liri” u mbajt sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me pjesëmarrje të gjerë qytetare nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora. Organizatorët e kanë paraqitur marshin si një shprehje të mbështetjes për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, në prag të vendimit që pritet të shpallet në Hagë më 16 shtator. /lajmi.net/