Pas muajsh bllokadë institucionale, Dimal Basha u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke marrë 64 vota pro nga deputetët.
Në të njëjtën seancë u votuan edhe tre nënkryetarët e Kuvendit:
-
Albulena Haxhiu (VV),
-
Vlora Çitaku (PDK), dhe
-
Kujtim Shala (LDK).
Megjithatë, menjëherë pas zgjedhjes së Bashës, nisën të qarkullojnë pretendime në media dhe opinion publik se ai mund të japë dorëheqje nga pozita e kryeparlamentarit, ndërsa në vend të tij të vendoset përkohësisht si ushtruese detyre nënkryetarja Albulena Haxhiu.
Për të sqaruar nëse një skenar i tillë është i mundur dhe çfarë pasoja institucionale do të kishte, lajmi.net ka kontaktuar me Naim Jakajn, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Jakaj vlerëson se një veprim i tillë do të ishte i gabuar dhe i dëmshëm për demokracinë parlamentare.
“Ne konsiderojmë se kjo është një praktikë e keqe dhe e dëmshme të një kuvendi demokratik, sepse pozita e kryetarit të kuvendit dihet se kujt i takon. VV është dashur të mendoj këtë pozitë para se të kandidoj z. Dimal Basha ose secilin kandidat tjetër nga partia e tij dhe në këtë rast Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej të bëhej lojë ose të bëhet fiskulturë me pozicionin e kryetarit të kuvendit, sepse kryetari i kuvendit nuk duhet të jetë vakant, ai duhet të jetë pozitë që votohet nga shumica absolute e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të ushtrohet funksioni i plotë i tij.”
Tutje, ai thekson se funksioni i kryetarit nuk mund të mbetet i paplotësuar për një kohë të pacaktuar, dhe as të zëvendësohet me nënkryetar në mënyrë të përhershme.
“Nuk është paraparë mundësia që kryetari të japë dorëheqje e të mos zëvendësohet dhe nuk parashihet që funksioni i nënkryetarit të zhvillohet deri në pafundësi nga nënkryetarët sepse siç e thashë edhe më herët është një praktikë e dëmshme dhe e keqe në funksionim të një Kuvendi Demokratik.”
Nëse Dimal Basha do të dorëhiqej nga pozita, Jakaj sqaron se është obligim i VV-së ta propozojë një kandidat të ri për kryetar Kuvendi.
“Nëse dorëhiqet z. Basha nga pozicioni i kryetarit të Kuvendit, atëherë në rendin e ditës të Kryesisë së Kuvendit për seancën plenare, do të kërkoj nga VV që të propozojë një kryetar të ri të Kuvendit, sepse një pozitë e tillë nuk mund të mbetet vakante.”, përfundoi ai./lajmi.net/