Nait Hasani: Gjenerata e re janë mospajtuesit kryesorë të rishikimit të historisë

Ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ishte pjesë e protestës së mbajtur në sheshin e Prishtinës, në kuadër të protestave me moton “Jo në emrin tim”, drejtuar ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë.
Hasani tha se kjo formë proteste përbën, sipas tij, një ngjallje të frymëzimit te gjenerata e re dhe shprehje të mospajtimit me vendimet e Gjykatës Speciale.
“Protesta dhe kjo formë e tillë e protestës ‘Jo në emrin tim’ drejtuar Gjykatës Speciale në Hagë është një ngjallje e frymëzimit të gjeneratës së re, e mospajtimit me vendimet e Gjykatës Speciale. Sepse kjo gjeneratë e jeton lirinë e krijuar, të arritur përmes luftës së UÇK-së”, tha Hasani.
Ai u shpreh se të rinjtë janë kundërshtuesit kryesorë të, siç tha, rishikimit të historisë, të kaluarës dhe luftës së UÇK-së.
“Këta janë mospajtuesit kryesorë të një rishikimi të historisë, të kaluarës dhe luftës sonë. Prandaj, rikthimi i UÇK-së në sheshet e Kosovës dhe në çdo pjesë të botës ku janë shqiptarët, është çështje që na frymëzon edhe njëherë me ndjenjën e luftës për liri dhe çlirimit nga Serbia”, deklaroi ai.

Lexo edheAmbasadori francez Huchet: Zgjerimi i BE-së është bërë domosdoshmëri gjeopolitike, Kosova duhet të vijojë reformat
Hasani tha se, pavarësisht nëse protestuesit arrijnë qëllimin për të cilin kanë dalë në shesh, këto protesta, sipas tij, rikthejnë kujtesën dhe respektin për luftëtarët e UÇK-së.
“Ndoshta nuk e arrijnë qëllimin për të cilin dalin njerëzit, por e rikthejnë kujtesën, motivin, forcën, dashurinë dhe respektin për vendin, për ushtarët, dëshmorët, heronjtë tanë të cilët e kanë sjellë lirinë, si dhe respektin për katërshen që është atje në Hagë”, u shpreh Hasani.












