Bugaqku: Procedura e Projektligjit për Specialen vështirë të përfundojë para 6 tetorit

Vullnet Bugaqku nga KDI ka thënë se procedimi dhe miratimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara para 6 tetorit paraqet vështirësi për shkak të afateve të përcaktuara në procedurat e Kuvendit.
Duke folur në emisionin FIVE, Bugaqku ka shpjeguar se për projektligjet që kërkojnë paraprakisht opinionin e Qeverisë, ajo ka një afat prej 30 ditësh për të dhënë vlerësimin nëse projektligji është në përputhje me Kushtetutën, marrëveshjet ndërkombëtare dhe aktet tjera përkatëse.
Sipas tij, nëse opinioni i Qeverisë do të dërgohej të premten dhe do të vlerësonte se projektligji mund të procedohet në Kuvend, atëherë do të nevojitej procedurë e përshpejtuar për ta miratuar para 6 tetorit.
“Nëse eventualisht të premten vjen opinioni i Qeverisë dhe thotë që ligji mund të procedohet në Parlament, unë e shoh paksa në përputhje me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, e shoh edhe pak të pamundshme mënyrën e procedimit më të tutjeshëm pastaj. Sepse janë ikur afatet”, ka deklaruar Bugaqku.
Ai ka thënë se, për miratimin e projektligjit para 6 tetorit, Kuvendi do të duhej të përdorte procedurën e përshpejtuar ose të thërriste seancë të jashtëzakonshme.
“Për me miratu këtë projektligj para datës 6 tetor, duhet me hy në procedurë të përshpejtume, apo Kuvendi duhet me thirrë seancë jashtëzakonshme dhe me e përshpejtu procedurën e trajtimit të atij ligji në dy lexime, edhe në komisionet parlamentare, edhe me dy lexime”, tha ai.
Megjithatë, Bugaqku ka theksuar se Rregullorja e Kuvendit përcakton afate që duhet të respektohen gjatë shqyrtimit të projektligjit.

Lexo edheHaliti për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Ka plot që nuk e dëshirojnë lirimin e tyre
Sipas tij, nëse opinioni i Qeverisë vjen të premten dhe materiali i projektligjit shpërndahet në Kuvend, seanca nuk mund të mbahet më herët se 48 orë nga shpërndarja e materialit.
“Nëse vjen të premten opinioni dhe janë shpërndarë materialet në Kuvend të projektligjit, Kuvendi s’mund të mbajë seancë jo më herët se 48 orë nga dita e shpërndarjes së materialit. Që i bie diku deri të hënën në leximin e parë”, ka shpjeguar Bugaqku.
Ai ka shtuar se pas përfundimit të leximit të parë, nevojiten edhe së paku 72 orë para fillimit të shqyrtimit në lexim të dytë.
“Pasi përfundon leximi i parë, i ke kohë 72 orë, jo më herët se 72 orë me e fillu seancën për leximin e dytë”, tha Bugaqku.
“Nëse sot s’u dorëzua, nga nesër, unë e shoh paksa të pamundshme që në këtë dinamikë të afateve të përcaktuara të trajtimit të projektligjit të procedohet përshpejtume që të miratohet para datës 6 tetor në Parlamentin e Kosovës”, ka deklaruar Bugaqku.












